Tragjedia në Demiraj të Gjilanit, çfarë dihet deri më tani për vdekjen e 27-vjeçarit dhe foshnjës

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e 1 nëntorit fshatin Demiraj të Gjilanit, ku brenda një shtëpie janë gjetur pa shenja jete një 27-vjeçar dhe një foshnjë e gjinisë femërore.

I riu është identifikuar si A.D, ndërsa rasti ka marrë përmasa edhe më të rënda pas arrestimit të babait të tij, 65-vjeçarit B.D, i cili dyshohet për përfshirje në këtë ngjarje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se informacionin për dy persona që dyshohej se kishin ndërruar jetë e kishte pranuar rreth orës 08:47. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku vdekja e të dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar.

Pas hetimeve fillestare, Policia ka bërë të ditur se dyshohet që rasti të ketë ndodhur brenda familjes, ndërsa si i dyshuar është arrestuar një 65-vjeçar, i identifikuar si babai i viktimës.

Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht nga burimet e saj se bëhet fjalë për B. D, babanë e A.D dhe gjyshin e foshnjës së ndjerë. I njëjti, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

Ndërkohë, burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se nëna e foshnjës nuk jetonte në të njëjtën shtëpi me 27-vjeçarin dhe vogëlushen.

Rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë, si dhe motivi i mundshëm, mbeten ende për t’u zbardhur nga hetimet e organeve të drejtësisë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕