16 vjet më parë: Jakup Krasniqi, Ali Ahmeti, Bekim Jashari…në ceremoninë e rivarrimit të Afrim Zhitisë
Më 2 qershor 2010, në fshatin Llugë të Podujevës, u zhvillua ceremonia e rivarrimit të Heroit të Kombit, Afrim Zhitia, pranë obeliskut të ngritur në vendlindjen e tij.
Sot, më 2 nëntor, në përvjetorin e rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, kujtohen edhe pamjet e rivarrimit të Afrim Zhitisë, 16 vjet më parë, në vendlindjen e tij.
Fotoreporteri i Raporto24, Blerim Uka, sjell fotografi nga kjo ngjarje e rëndësishme, ku morën pjesë qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare, familjarë, bashkëveprimtarë, përfaqësues të institucioneve dhe personalitete të jetës publike.
Në fotografitë e ceremonisë shihen ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ish-kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ish-kryeministri Bajram Rexhepi, si dhe Lulzim e Naim Jashari, Ali Ahmeti, Fatmir Limaj dhe shumë personalitete të tjera.
Gjatë ceremonisë, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kishte dekoruar Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliun me Medaljen e Artë të Lirisë, në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.
Në fjalimin e tij, Sejdiu kishte theksuar se Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu u bënë shembull i trimërisë dhe i dashurisë për atdheun, duke dhënë jetën në moshë të re.
Ndërkaq, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte vlerësuar se ata i mësuan gjeneratat e reja ta mbajnë lart nderin dhe krenarinë kombëtare.
Bashkëveprimtari i tyre, Ali Ahmeti, kishte kujtuar qëndresën e dy heronjve në Kodrën e Diellit në Prishtinë, duke theksuar se Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu nuk pranuan të dorëzoheshin para forcave jugosllave.
Edhe kryetari i Klubit Politik “Afrim Zhitia”, Ismet Sylejmani, kishte vlerësuar lart figurën e tij, duke e cilësuar si një nga organizatorët kryesorë të lëvizjes çlirimtare të asaj kohe.
16 vjet pas rivarrimit, kujtimi për Afrim Zhitinë dhe veprën e tij vazhdon të jetojë në historinë dhe kujtesën kombëtare.
Fotoreporteri: Blerim Uka – Raporto24
Arkiv: 2 qershor 2010


