Gazmend Hoxha tregon pse vendosi të largohej nga drejtimi i Policisë
Gazmend Hoxha jep dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt, publikon letrën drejtuar Kurtit dhe rezultatet e Policisë gjatë mandatit të tij
Drejtori i deritanishëm i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka publikuar letrën e dorëheqjes drejtuar kryeministrit Albin Kurti, në të cilën ka shpjeguar arsyet e largimit nga detyra, duke prezantuar njëkohësisht rezultatet e Policisë së Kosovës gjatë drejtimit të tij.
Hoxha ka theksuar se vendimi për dorëheqje është marrë pas ngjarjes tragjike në Vitomiricë të Pejës, ku u vra Arlinda Zekaj, duke e cilësuar largimin e tij si akt të përgjegjësisë morale dhe institucionale.
“Duke marrë për bazë ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, vrasjen makabre të nënës, bijës dhe motrës sonë, Arlinda Zekaj, pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, duke e vënë interesin e shtetit dhe dinjitetin e institucionit mbi çdo interes personal, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës”, ka shkruar Hoxha.
Ai ka theksuar se përgjegjësia udhëheqëse nuk kufizohet vetëm te veprimet individuale, por përfshin edhe ruajtjen e standardeve të ligjshmërisë, profesionalizmit dhe integritetit brenda institucionit.
“Asnjë pozitë nuk është mbi shtetin, asnjë funksion nuk është më i rëndësishëm se besimi i qytetarëve dhe askush nuk duhet të jetë mbi parimin e llogaridhënies”, ka deklaruar ai.
Hoxha përmend sfidat në veri dhe operacionin në Banjskë
Në letrën e tij, Hoxha ka renditur sfidat kryesore të sigurisë me të cilat është përballur Policia e Kosovës që nga marsi i vitit 2023.
Ai ka përmendur operacionet kundër strukturave ilegale në veri, largimin e barrikadave, luftimin e aktiviteteve të paligjshme, si dhe operacionin policor ndaj grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023.
Sipas tij, Policia ka shënuar rezultate të rëndësishme edhe në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe armëve, korrupsionit dhe krimeve kibernetike.
Publikon shifrat e hetimeve: Dhjetëra të arrestuar dhe miliona euro pasuri të sekuestruara e të ngrira
Në përmbledhjen e rezultateve hetimore, Hoxha ka bërë të ditur se gjatë periudhës 2023–30 tetor 2026, në kuadër të hetimeve për krime lufte, janë iniciuar 66 kallëzime penale kundër 745 personave të dyshuar dhe janë arrestuar 62 persona.
Në luftimin e fajdesë, nga maji i vitit 2024 janë arrestuar 79 persona, janë zhvilluar 40 operacione policore dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë të përafërt prej 8 milionë eurosh.
Ndërkaq, në kuadër të rasteve të njohura si “White Star” dhe “SkyECC”, janë arrestuar 37 persona.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Hoxha, vlera e përgjithshme e pasurive dhe llogarive bankare të sekuestruara, konfiskuara apo të ngrira në këto raste arrin në 53.974.918 euro.
“Dhuna në familje mbetet fenomen thellësisht shqetësues”
Pavarësisht rezultateve të përmendura, Hoxha ka pranuar se dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga problemet më shqetësuese për institucionet e vendit.
Ai ka theksuar nevojën për bashkëpunim më të fuqishëm ndërmjet Policisë, Prokurorisë, gjykatave, shërbimeve sociale dhe organizatave të shoqërisë civile.
Sipas tij, sistemi aktual i trajtimit të rasteve të dhunës në familje nuk po funksionon me nivelin e nevojshëm të përgjegjësisë dhe efikasitetit.
Në përfundim të letrës, Hoxha ka falënderuar punonjësit e Policisë së Kosovës për angazhimin dhe sakrificën e tyre, duke theksuar se dorëheqja e tij nuk përbën braktisje të institucionit.
“Kjo dorëheqje nuk është braktisje e Policisë së Kosovës. Është një mesazh se institucionet tona duhet të jenë më të forta se individët dhe se besimi publik duhet të mbrohet me përgjegjësi të vërtetë”, ka përfunduar Hoxha.


