Daut Hoxha me fjalë të mëdha për Gazmend Hoxhën: Respekt për njeriun trim dhe burrin e fjalës

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili vjen nga Drenasi, ka reaguar pas dorëheqjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, po ashtu nga Drenasi.

Përmes një postimi në Facebook, Daut Hoxha ka shprehur respektin dhe mirënjohjen për ish-drejtorin, duke vlerësuar punën, karakterin dhe integritetin e tij gjatë udhëheqjes së Policisë së Kosovës.

“Disa njerëz nuk vlerësohen vetëm për pozitën që mbajnë, por për gjurmët që lënë me punën, karakterin, integritetin dhe guximin e tyre!”, ka shkruar ai.

Hoxha ka theksuar se gjatë drejtimit të Gazmend Hoxhës, Policia e Kosovës është përballur me sfida të shumta, por njëkohësisht ka shënuar rezultate dhe përparime në përmbushjen e misionit të saj.

“Kam pasur nderin të bashkëpunoj nga afër me të dhe të dëshmoj jo vetëm përkushtimin e tij në punë, por edhe burrërinë, vendosmërinë, guximin dhe integritetin njerëzor. Ai është nga ata njerëz që nuk i shmangen përgjegjësisë, që qëndrojnë përballë sfidave dhe që e kuptojnë se shërbimi ndaj vendit është mbi çdo interes personal”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë.

Ai ka shtuar se përfundimi i një pozite udhëheqëse nuk e zbeh kontributin dhe respektin e fituar ndër vite.

“I nderuar Drejtor, pozita mund të përfundojë, por kontributi, dinjiteti dhe respekti i fituar nuk përfundojnë me të”, ka shkruar ai.

Në fund, Daut Hoxha ka falënderuar Gazmend Hoxhën për bashkëpunimin dhe mbështetjen, duke e përmbyllur reagimin me fjalët:

“Respekt për njeriun trim, për profesionistin dhe për burrin e fjalës. Suksese në çdo moment të ardhshëm!”

Kujtojmë se Gazmend Hoxha dha dorëheqje nga drejtimi i Policisë së Kosovës pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke e cilësuar vendimin e tij si akt të përgjegjësisë morale dhe institucionale.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕