Gjykat e Apelit në Hagë merr edhe një vendim për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin

Dhoma e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka miratuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për rritjen e kufirit të fjalëve në njoftimet e tyre të apelit kundër aktgjykimit të shkallës së parë.

Sipas vendimit të publikuar më 28 tetor, trupi gjykues ka autorizuar mbrojtjen që njoftimet e apelit të përmbajnë deri në 7 mijë fjalë, në vend të kufirit të zakonshëm prej 3 mijë fjalësh.

Mbrojtja kishte kërkuar që kufiri të rritej në 9 mijë fjalë, duke argumentuar se gjatësia dhe kompleksiteti i rastit kërkojnë hapësirë më të madhe për paraqitjen e bazave të ankesës.

Në arsyetimin e vendimit, trupi gjykues theksoi se aktgjykimi i shkallës së parë, i publikuar më 16 shtator 2026, përmban 2.089 faqe dhe është më i gjati i nxjerrë ndonjëherë nga Dhomat e Specializuara. Gjykata mori parasysh gjithashtu kompleksitetin e çështjes dhe nevojën që palët të mund t’i paraqesin në mënyrë kuptimplotë pretendimet e tyre në apel.

Megjithatë, gjyqtarët vlerësuan se kërkesa për 9 mijë fjalë ishte e tepruar. Sipas tyre, cilësia dhe efektiviteti i një ankese nuk varen nga gjatësia, por nga qartësia dhe argumentimi i pretendimeve.

Dhoma e Apelit theksoi se njoftimet e apelit duhet të identifikojnë gabimet e pretenduara në aktgjykim dhe zgjidhjen që kërkohet, ndërsa argumentet e hollësishme duhet të shtjellohen në parashtresat e apelit.

Afati për dorëzimin e njoftimeve të apelit është caktuar më 27 nëntor 2026.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕