Fermeri nga Negroci planifikon të mbjellë 10 hektarë grurë, nis përgatitjet për sezonin e ri
Pavarësisht kushteve jo të favorshme atmosferike, fermerët e Komunës së Drenasit kanë filluar mbjelljet vjeshtore të grurit.
Njëri prej tyre është Arsim Krasniqi nga fshati Negroc, i cili ka planifikuar të mbjellë rreth 10 hektarë tokë me grurë gjatë këtij sezoni.
Kjo është bërë e ditur nga Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Drenas, përfaqësuesit e së cilës kanë vizituar fermerin për t’u njohur nga afër me përgatitjet për mbjelljet vjeshtore.
Sipas kësaj drejtorie, mbjellja e grurit në këtë periudhë është veçanërisht e rëndësishme për sigurimin e rendimenteve të mira dhe furnizimin me drithëra gjatë sezonit të ardhshëm.
Po ashtu, është theksuar se përkushtimi i fermerëve ndaj punës dhe prodhimit vendor ka rol të rëndësishëm në zhvillimin e bujqësisë lokale dhe rritjen e sigurisë ushqimore.
Nga Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural u kanë uruar të gjithë fermerëve një sezon të mbarë, me bereqet dhe rendimente të larta.



