Lladrovci viziton mjekun nga Drenasi, Dr. Lutfi Tahirin, në Cyrih: Një histori suksesi dhe krenarie shqiptare në Zvicër

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka zhvilluar një takim të veçantë në Zvicër me mjekun shqiptar, Dr. Lutfi Tahiri, një profesionist i dalluar në fushën e psikiatrisë dhe psikoterapisë, me rrënjë nga Drenasi, transmeton portali DrenicaOnline.

Dr. Tahiri, i cili jeton dhe punon në Zvicër prej 16 vitesh, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme si specialist në psikiatri dhe psikoterapi, ndërsa aktualisht po vazhdon subspecializimin në terapinë traumatike, EMDR.

Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë në Kosovë dhe në Universitetin e Cyrihut, ai është emëruar Shef Reparti në një poliklinikë në Cyrih, ndërsa tashmë vepron edhe në ordinancën e tij private – të parën të këtij lloji që udhëhiqet nga një shqiptar në këtë fushë në Zvicër.

“Suksesi i Dr. Lutfi Tahirit është për çdo lëvdatë. Ai mbetet krenar me vendlindjen dhe i përkushtuar në profesionin e tij, duke ruajtur thjeshtësinë, humanizmin dhe sinqeritetin që e karakterizon si mjek dhe si njeri,” u shpreh kryetari Lladrovci pas takimit.

Në fjalët e tij, Lladrovci vlerësoi lartë edhe angazhimin e Dr. Tahirit në përballjen me sfidat e kohës përmes ekspertizës së tij në një fushë aq të rëndësishme siç është shëndeti mendor. Ai gjithashtu përmendi qasjen e lehtë dhe të qartë që pacientët kanë me ordinancën përmes uebfaqes www.praxis-tahiri.ch, si një shembull i shërbimit modern dhe të qasshëm.

“Faleminderit Dok për pritjen. Të uroj suksese të mëtejme!” – përfundoi kryetari i Drenasit, duke e cilësuar Dr. Tahirin një ambasador të vërtetë të vlerave dhe dijes shqiptare në Zvicër./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë