Krasniqi: Vetëvendosje nuk do institucione funksionale, sot ranë përfundimisht maskat
Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me situatën institucionale në vend, duke e akuzuar këtë parti për bllokim të formimit të institucioneve.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja, prej muajsh ka paralajmëruar se Vetëvendosje është bllokuese e institucioneve.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk do shtet normal dhe nuk dëshiron institucione funksionale. Për muaj të tërë e kemi thënë se janë bllokuesit. Sot ranë përfundimisht maskat”, ka shkruar Krasniqi.
Ai e ka cilësuar si absurde që një parti që ka marrë shumicën e votave për të qeverisur, të pengojë formimin e institucioneve.
“Është absurde që një parti që ka marrë shumicën për të qeverisur, ta bllokojë formimin e institucioneve. Që nuk dinë të qeverisin, e kemi kuptuar këto gjashtë vite. Por që, me vetëdije dhe me plan, të bllokojnë e të dëmtojnë institucionet e ndërtuara me mund, sakrificë dhe përkushtim ndër vite, kjo është shumë më e rrezikshme.
Prandaj, sot qytetarët e panë qartë atë që ne e kemi thënë prej kohësh: Albin Kurti nuk po kërkon institucione funksionale. Po kërkon bllokadë dhe kriza të vazhdueshme”, ka shkruar Krasniqi./IndeksOnline/



