Sala Jashari në Epopene e UÇK-së: Brezat e rinj po mbajnë gjallë kujtimin dhe vlerat e luftës

Deputetja më e re e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka marrë pjesë sot në manifestimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nisi në shkollën “Shaban Idrizi” në Zhabar të Mitrovicës, transmeton DrenicaOnline.

Me rastin e 5, 6 dhe 7 Marsit, Jashari pati mundësinë të takohej me nxënësit dhe stafin e kësaj shkolle, të cilët përmes këngëve kushtuar UÇK-së, dëshmuan se kujtimi dhe vlerat e saj vazhdojnë të jetojnë te brezat e rinj.

Gjatë aktivitetit, ajo u emocionua nga interpretimi i këngës “Tringa e Prekazit”, e cila i dha mundësinë të ndajë historinë e gjyshes së saj, Salës. Deputetja inkurajoi vajzat që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos lejojnë asnjë pengesë t’i ndalë në rrugën e tyre drejt suksesit.

“Të keni një mendje të hapur, të ëndërroni dhe të guxoni të imagjinoni, sepse asgjë nuk është e pamundur!”, ishte mesazhi i saj drejtuar nxënësve.

Në fund, Jashari falënderoi mësuesit për përkushtimin e tyre në përcjelljen e historisë te gjeneratat e ardhshme, duke theksuar se kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë