Xhevahire Izmaku reagon ndaj situatës në KPM
Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-Nisma, Xhevahire Izmaku, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Komisionin e Pavarur për Media (KPM), duke e cilësuar si të papranueshme ndërhyrjen politike në institucionet e pavarura.
“Po shkelet një e drejtë kushtetuese dhe një parim themelor i demokracisë – mosndërhyrja politike në institucionet e pavarura. Komisioni i Pavarur për Media, si një gardian i lirisë së mediave, po përballhet me një ndërhyrje flagrante që cenon rëndë pavarësinë e tij”, ka deklaruar Izmaku.
Sipas saj, paralajmërimi për shkarkimin e kryetarit të KPM-së, Jeton Mehmeti, disa ditë para përfundimit të mandatit, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj integritetit institucional. Ajo ka theksuar se kjo procedurë, e motivuar politikisht, synon uzurpimin e pozitave kyçe në KPM për interesa të caktuara dhe jo për rregullimin e drejtë të mediave.
“Kjo ndërhyrje jo vetëm që shkel normat ligjore dhe etike, por edhe rrezikon rëndë lirinë e mediave – një e drejtë e garantuar kushtetuese. Manipulimi i tillë i institucioneve të pavarura dëmton besimin e qytetarëve në demokraci dhe shtet ligjor”, ka thënë ajo.
Izmaku ka ftuar Zyrën Ekzekutive të KPM-së që të mbrojë pavarësinë e institucionit dhe të kundërshtojë këtë ndërhyrje. Po ashtu, ajo ka ftuar mediat dhe shoqërinë civile që të mbikëqyrin me kujdes këtë proces dhe të dokumentojnë çdo përpjekje për manipulim.
“Kjo ndërhyrje e rrezikshme do të ndikojë negativisht jo vetëm në vendimmarrjen brenda KPM-së, por edhe në perceptimin ndërkombëtar për lirinë e shprehjes dhe demokracinë në vendin tonë”, ka paralajmëruar ajo.
Izmaku ka përfunduar duke thënë se duhet mbrojtur me vendosmëri integriteti i KPM-së dhe vlerat kushtetuese që ai përfaqëson.