Sabit Januzi pranon fajësinë
Edhe Sabit Januzi ka ndryshuar deklaratën e tij nga i pafajshëm në fajtor lidhur me akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe atë të frikësimit.
Januzi u përgjigj me “Po”, kur u pyet se a është i gatshëm që të ndryshojë deklarimin fillestar si i pafajshëm.
Si rrjedhojë, atij iu lexuan akuzat sërish, ku për secilën prej tyre u deklarua fajtor.
Ndërsa sa i takon zhdëmtimit, avokati i Januzit, Jonathan Elystan Rees, tha se lidhet ngushtë me dëmin e shkaktuar. Ai tha se zhdëmtimet do të ishin të nevojshme nëse vërtetohet se dëshmitari 1 ka pësuar dëm si rezultat ‘ndihmës së ofruar atij për ta tërhequr dëshminë’.
Avokati tha se për këtë nuk ka prova faktike se dëshmitarit 1 i është shkaktuar dëm.
Ndërsa, kur u diskutua për dënimin, avokati tha se kanë marrë vërtetim në Kosovë se Januzi nuk ka të kaluar kriminale në kuptimin e ndonjë vendimi të formës së prerë. Pas kësaj, me kërkesën e avokatit, seanca kaloi në private.
Gjatë seancës së sotme, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Vedlt- Foglia tha se Sabit Januzi dhe ZPS-ja janë dakorduar në marrëveshjen e fajësisë që të kërkohet burgim për të akuzuarin nga dy vjet deri në dy vjet e gjysmë burgim.
Sipas saj, në marrëveshje thuhet se ZPS-ja do t’i propozojë gjykatës që Januzit t’ia llogaritë edhe kohën e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Për sa i përket dënimit z.Januzi, unë lexova në marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe ju pajtoheni me dhënien e një dënimi midis 24 dhe 30 muaj burgim dhe marrëveshja gjithashtu thotë se ZPS-ja do t’i rekomandojë trupit gjykues një dënim prej 24 deri në 30 muaj burgim dhe të propozojë që të llogaritet edhe koha që keni kaluar në paraburgim”, tha kryegjyqtarja.
Ajo shtoi se në këtë marrëveshje, ZPS-ja ka njoftuar se ka hequr dorë nga pika 1 e akuzës për Januzin. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe vetë i akuzuari Sabit Januzi.
Ndër të tjerash, Januzi pohoi se ka diskutuar me avokatin e tij kushtet e marrëveshjes së fajësisë dhe e ka pranuar atë pas konsultimeve ligjore.
Ai gjithashtu pohoi se marrëveshjen e ka bërë në një gjuhë që e kupton dhe i ka pranuar kushtet e saj.
Si rrjedhojë kryegjyqtarja lexoi bazat për të cilët palët duke përfshirë edhe të akuzuarin kanë rënë dakord për pranimin e fajësisë.
Ajo tha që sipas marrëveshjes, i pandehuri Januzi ka pranuar se ishte pjesë e një grupi që kërkonte të nxiste dëshmitarin 1 që të mos jepte dëshmi para dhomave të Specializuara të Kosovës përmes premtimit të fitimit.
Ajo shpjegoi në mënyrë kronologjike bashkëveprimet në mes Haxhi Shalës, Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit ndaj dëshmitarit 1.
Duke iu referuar asaj që thuhet në aktakuzë e që është pikë në marrëveshje, kryegjyqtarja duke tregoi se në një rast Januzi i kishte transmetuar dëshmitarit se Haxhi Shala dhe persona të tjerë do ta ndihmonin dëshmitarin nëse ai do ta tërhiqte dëshminë.
Si rrjedhojë, Januzi e konfirmoi bazën faktike të marrëveshjes për të cilën palët tashmë janë rënë dakord.
“Po e konfirmoj”, u përgjigj Januzi kur u pyet nga kryegjyqtarja.
Januzui u njoftua që në rast që aprovohet kjo marrëveshje për pranimin e fajësisë, atij iu hiqet e drejta për apelim të vendimeve. Rrjedhimisht, Januzi nuk do të ketë mundësi që ta tërheq pranimin e fajit apo të kërkojë ndryshimin e vendimit të dënimit.
“Zonja gjyqtare, në këtë marrëveshje kam hyrë pa presionin e askujt dhe pa ansjë lloj kërcënimi, me vullnetin tim”, tha Januzi nder tjerash duke shtuar se është i vetëdijshëm për pasojat që sjellë kjo marrëveshje.
Ngjashëm si për Haxhi Shalën, edhe për Januzin kryegjyqtarja lexoi pikat e aktakuzës se 10 korrikut 2024 që përfshihen në marrëveshjen për pranimin e fajësisë.
Sipas saj, në këtë marrëveshje përfshihen pikat 8, 9, 11 13 deri në 18 dhe 24.
Tutje, sipas marrëveshjes u tha se Sabit Januzi pranon fajin para trupit gjykues lidhur m pikat 2 dhe 3 të aktakuzës së 10 korrikut 2024.
Sipas saj, pika 2 e akuzon Januzin për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare duke marrë marrë pjesë në aksionin e përbashkët të një grupi midis së paku 5 prillit dhe 2 prillit 2023 e ndëshkueshme me nenin 17, 21, 28, 33 35 dhe 401(2) (5) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe nenet 15 (2) dhe neni 16 (3) i ligjit të DhSK-së. Ndërsa, pika 3 e ngarkon Januzin me frikësim gjatë procedurës penale me anë të premtimit për dhuratë ose me anë tjetër të përfitimit për periudhën e njëjtë kohore.
Si rrjedhojë, kryegjyqtarja tregoi se në marrëveshje specifikohet se Januzi e ka pranuar fajësinë për këto pika.