Me kërkesë të tij, i hiqen masat mbrojtëse dëshmitarit Halim Berisha
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitarit Halim Berisha, me kërkesë të tij i janë hequr masat mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kërkesa e dëshmitarit u parashtrua nga avokati i tij, Kadri Osaj, për çka u mor vendim në sesion privat për publikun.
Kurse, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se ky dëshmitar ishte intervistuar si i dyshuar në janar të 2020-ës për çka vetë dëshmitari kishte hequr dorë me shkrim nga e drejta e tij për të pasur avokat.
“ZPS-ja e ka intervistuar vërtetë si të dyshuar dëshmitarin në janar të vitit 2020 dhe kjo është bërë në përputhje me rregullat e Rregullores dhe nenin 38 të rregullës 32 dhe 34. U informua qartë, për të drejtat e tij si i dyshuar që të mosfliste dhe të kishte një avokat. Pra, ai hoqi dorë me shkrim nga kjo e drejtë në përputhje me rregullën 33 (3) dhe mbrojta u informua përkatësisht me këtë”, tha prokurori, duke shtuar se dëshmitari ka hequr dorë vullnetarisht nga kjo e drejtë, raporton Betimi për Drejtësi.
Ky dëshmitar është i 87-ti në këtë proces. Dëshmita e tij do të zgjas përafërsisht një ditë.