Aktivistja Nuraj: Shqiptarët e Sanxhakut duhet të deklarohen si boshnjak, ose mysliman me kombësi serbe
Aktivistja nga Sanxhaku, Amina Nuraj, ka folur për përvojat e saja të ndalimit disa herë në pikat kufitare të Serbisë. Ajo tha se shteti serb po i diskriminon shqiptarët e Sanxhakut, të cilët nëse duan të punojnë duhet të deklarohen si boshnjak, ose mysliman me kombësi serbe.
Nuraj ka theksuar se ajo ndalohet për orë të tëra dhe nuk merret në pyetje, por vetëm se i merren dokumentet, ajo përmendi edhe një rast kur ishte ndaluar për gjashtë orë dhe kishte qëndruar në makinë.
“Jam shumë krenare që më kanë ndalë, sepse jam prej atyre njerëzve që janë në rrugën e drejtë, sepse punoj për shqiptarët në Sanxhak, rikthimin e kombit shqiptar. Beogradit i pengon ajo pjesë, sepse Sanxhaku është një pjesë e rrezikshme edhe nëse ajo pjesë rikthehet që janë 380 mijë banorë, atëherë Serbisë i qesin probleme”.
“Prej kur udhëtoj për Kosovë më ndalin për 3 apo 4 orë. Kur ishim te z.Albin Kurti si pjesë e delegacionit të Zyrës të Këshillit Kombëtar Shqiptar na kanë ndalë gati gjashtë. Ata nuk na marrin në pyetje vetëm na marrin dokumentet ne vetëm rrimë në makinë. Duhet të pyetet Beogradi se pse unë po u qes atyre shumë problem, a e kanë frikën nga unë? A duan të më ndalojnë nga Kosova. Njëfarë problemi e kanë ata”, ka thënë Nuraj, për Klan Kosova.
Ajo ka folur për gjendjen e shqiptarëve në Sanxhak dhe problemet që ata ballafaqohen.
Nuraj deklaroi se është shtuar numri i të rinjve që dëshirojnë të mësojnë gjuhën shqipe.
Ndër tjera, ajo shtoi se ata nuk i kanë as të drejtat themelore të njeriut nga shteti serb.
“Serbia nuk na jep kurrfarë të drejte për jetë. Ne si shqiptarë nuk kemi të drejtë të as të punojmë në punë të shtetit, dhe as të flasim gjuhën tonë, dhe as fëmijët tanë të flasin gjuhën tonë. Nëse dëshirojmë të punojmë në punë të shtetit duhet të deklarohemi se jemi boshnjakë, ose myslimanë me kombësi serbe. Nëse deklarohesh shqiptarë dihet se nuk ke kurrfarë të drejte për jetë”.
“Tash, më 2023 kemi 400 veta të deklaruar si shqiptarë, numri është më i madh, si e kanë bërë në Medvegjë i kanë fshirë shqiptarët, edhe këtë e kanë bërë të ne. Prej atyre 380 mijë vetave, ata kanë shkruar se 97 përqind janë serbë, çka nuk është e vërtetë aspak, e vërteta se ne jemi shumicë në Sanxhak edhe kemi me qenë”, ka thënë Nuraj.