Këta janë 4 të arrestuarit për disa vjedhje të rënda nga nëntori deri në mars në Drenicë

Siguria publike në Kosovë po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Ky fenomen mjaft shqetësues, po shkakton pasiguri e humbje të mëdha. Hajnat, herë të vetëm e herë në grup po arrijnë të bëjnë kërdi gjithandej vendit. Një grup prej katër personash të dyshuar për disa vjedhje të rënda në Skenderaj, janë arrestuar sot nga Policia, raporton Sinjali.

Personat që u prangosën sot po dyshohen për disa raste të vjedhjeve që janë kryer nga muaji nëntor i vitit të kaluar deri në muajin mars të këtij viti.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se të dyshuarit janë A.Gashi, Sh.Rama, A.Koci dhe A.Xani.

Katër të dyshuarit u kapën pas bastisjeve që u kryen sot në dy lokacione të ndryshme, në fshatin Krushevc në Skenderaj dhe në fshatin Sankovc të Drenasit, me ç’rast u sekuestrua një veturë që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së veprave.

Policia tashmë ka siguruar prova që dëshmojnë përfshirjen e katër të dyshuarve në këto raste.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë