“I nderuar gjeneral” – ndryshe nga Osmani e Kurti, Konjufca e përshëndeti Lushtakun në seancën për heroin Kodra

Një seancë solemne e Kuvendit po mbahet në nderim të Ilaz Kodrës, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ra dëshmor para 25 vjetësh.

Krerët e shtetit folën në nderim të Ilaz Kodrës dhe luftës çlirimtare në seancën ku të pranishëm ishin edhe bashkëluftëtarë të Ilaz Kodrës, sikur ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku.

Për dallim prej presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca zgjodhi ta përshëndes edhe Sami Lushtakun, raporton Gazeta Express.

“E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani Sadriu, i nderuar kryeministër Kurti, e nderuara familje e heroit tonë Ilaz Kodra, të nderuar deputetë, zëvendëskryeministra e ministra të kabinetit qeveritar, të nderuar përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së, i nderuar kryetar i Skënderajt, z. Fadil Nura, i nderuari komandant i Zonës Operative të Drenicës, gjeneral Lushtaku”, tha Konjufca në krye të fjalës së tij.

Presidentja, paraprakisht, nuk e përmendi Lushtakun.

“I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, i nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti, të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, të nderuar deputetë, e nderuar familje Kodra, të nderuara familje të dëshmorëve e martirëve, të nderuara shoqata të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nderuar pjesëmarrës”, tha ajo në nisje të fjalës së saj.

Sami Lushtakun s’e përshëndeti as kryeministri Albin Kurti në fillim të fjalës së tij.

“E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani Sadriu, i nderuari kryetar i Kuvendit të republikës së Kosovës, zoti Glauk Konjufca, të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë së Kosovës, të nderuara familje të heronjve të Kosovës, e nderuara familje Kodra, e nderuara familje Bunjaku, e nderuara familje Konushevci, i nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, të nderuar diplomatë e miq ndërkombëtarë, të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës çlirimtare, të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve tona shtetërore, të dashur qytetarë të Kosovës, zonja dhe zotërinj”, tha Kurti.

Shefi i Qeverisë e përmendi Lushtakun vetëm në mesin e emrave të bashkëluftëtarëve të Ilaz Kodrës që i lexoi dhe për të cilët tregoi se “organizuan aksione dhe aktivitete” në luftë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë