Vrasja e 21-vjeçares në Ferizaj, çka dihet deri tash?

Pasditen e djeshme në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj pas disa të shtënave me armë mbeti e vrarë një grua dhe një person tjetër i plagosur. Bëhet e ditur se viktima është, Erona Cokli, 21-vjeçare, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Valon Aliu, 36-vjeçar, ndërsa, i plagosur mbeti edhe vëllai i saj i mitur, raporton Gazeta Sinjali.

Prokuroria Themelore në Ferizaj bëri të ditur se i dyshuari tashmë është ndaluar për 48 orë, nën dyshimet të veprës penale “Vrasje”.

Tutje në njoftim thuhet, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Ferizaj deklaroi se do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të lartëcekur.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se sot rreth orës 14:40 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, ka ndodhur një rast i vrasjes dhe sipas informatave të para dyshohet se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka ndërruar jetë një person- e gjinisë femërore, ndërsa, një person tjetër- i mitur, ka mbetur i plagosur.

I dyshuari në këtë rast, me iniciale V.A., me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, u tha në njoftim.

Ndërkohë, vëllai i viktimës, u bë e ditur se pas plagëve të marra i ishte nënshtruar një operimi porse gjendja e tij tani është e mirë dhe mbetet jashtë rrezikur për jetë.

Mjeku kujdestar në Spitalin e Ferizajt, Sefedin Fazliu, dha detaje mbi gjendjen e 15-vjeçarit të plagosur.

Ai tha se 15-vjeçari ka qenë i plagosur në parakrahun e djathtë, ku në radiografi është vërtetuar se i njëjti e ka pasur një plumb në plagë.

“Ortopedi ka intervenuar ku e ka larguar plumbin, i cili i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe pas mobilizimit, pasi ka qenë edhe një frakturë e njërës kockë, është pranuar në repartin e ortopedisë”, tha Fazliu për T7.

Ndërkohë drejtoresha për Punë Sociale, Adelina Rexhepi në një prononcim për Sinjalin tregoi se si erdhi deri te incidenti, duke shtuar se të lartëpërmendurit kanë qenë partnerë por pa kurorë.

“Realisht nuk kanë pasur konflikte, ka ardh bashkëshorti për ta marr fëmijën e tij nga ora 13:00, ka diskutuar me ata të qendrës për punë sociale, e ka marr djalin dhe ka dalë jashtë, është kthy prapë dhe është takuar jashtë institucionit me bashkëshorten e tij dhe të dy bashke janë ardh prapë në qendër dhe nga aty ka filluar konflikti. Kanë qenë partnerë pa kurorë dhe kanë bërë kërkesë për divorc”, tha Rexhepi për Sinjalin.

Për këtë rast tragjik reaguan edhe krerët shtetërorë, duke bërë thirrje që organet e drejtësisë sa më parë të merr masa.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se e dënojnë ashpër këtë krim, krim i cili sipas tij po përsëritet.

Shefi i qeverisë u shprehu ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të saj.

“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

“Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje”.

“Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”, u shpreh ai.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani reagoi pas vrasjes së 21 -vjeçares, duke e quajtur këtë ndodhi si femicid.

“Edhe një burrë që vranë një grua. Sërish femicid! Edhe një përkujtim se këta vrasës mizor të cilët ia kanë mësyer të shkatërrojnë jo veç jetën e grave, por edhe thelbin e shoqërisë sonë mund të ndalen vetëm nëse të gjithë bashkohemi e rizgjohemi si shoqëri kundër këtij fenomeni të tmerrshëm”, shkroi Osmani.

Tutje ajo kërkoi nga organet e drejtësisë dënime maksimale për vrasësit e grave.

”Mjaft më me dënime qesharake. Mjaft më me sistem të çalë të drejtësisë. Mjaft më me dështim të shtyllave që do të duhej të mbronin gratë tona, qytetarët tanë. Ngushëllime të sinqerta familjes!
Dënim maksimal për vrasësin!”, ka shtuar Osmani.

Në shenj revolte dhe reagimi për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj, Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të hënën në orën 17:30 do të mbahet protestë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka thënë se vrasja e fundit tregon se gratë në Kosovë nuk janë të sigurta askund.

“Edhe një grua tjetër u vra në sytë e shtetit. Edhe një jetë e humbur që kumbon luftën që na është shpallur grave në Kosovë e që disa nga ne po i vret”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë