“Tentoi të ikte nga vendi i ngjarjes” – Ky është shoferi nga Drenica që i shkeli me veturë dy të miturit në Pejë (PAMJE)
Shoferi që goditi katër persona në Pejë pasditen e së dielës, në mesin e tyre dy fëmijë të mitur, kishte tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes.
Personi që e ka shkaktuar aksidentin siç merr vesh Insajderi është K.Miftarja nga Klina e Skenderajt. I njëjtit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ai kishte tentuar të ikte nga vendi i ngjarjes në momentin e shkaktimit të aksidentit, por i njëjti ishte ndalur nga qytetarët.
Prej 4 të lënduarve, 3 janë trajtuar në Pejë ndërsa njëri (i mitur) po trajtohet në QKUK përkatësisht në Mjekimin Intenziv.
Siç merr vesh Insajderi, të miturit janë 8 dhe 9 vjeçar, nga komuniteti.
Në qytetin e Pejës, familjarët e tyre njihen si kasap.
Burimet po ashtu bëjnë më dije se babai i të lënduarit i cili po trajtohet në QKUK, para 4 vitesh ishte vrarë.
Rasti del të jetë ende në hetime.
Për gjendjen e 8 vjeçarit për Insajderin foli sot drejtori i Klinikë se Mjekimit Intenziv Qendor, Shaqir Uka.
Uka u shpreh se lëndimet e tij janë serioze por që gjendja e përgjithshme prezantohet me qenë më stabile.
“Pacienti të cilit i referoheni është sjell dje në Mjekimin Intenziv Qendror po vazhdon me qëndru i lidhur me barna dhe aparaturën mjekësore. Lëndimet janë serioze, gjendja e përgjithshme e tij për momentin prezantohet me qenë stabile. Tani jemi në fazën e ekzaminimeve dhe në fazën ku jemi duke u mundur ta stabilizojmë gjendjen e përgjithshme“, konfirmoi ai.
Për rastin ka folur edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
Ai konfirmoi se dy të miturit kanë marrë lëndime të rënda dhe se njëri është dërguar në QKUK, ndërsa tjetri po trajtohet në spitalin e Pejës.
“Një person është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit për shkak të veprës penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’, ku janë goditur nga vetura dy të mitur këmbësorë. Njëri prej tyre është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, kurse tjetri ne Spitalin e Pejës. Dy të miturit kanë lëndime të renda trupore”, tha Nikçi.