Skenderaj: I riu kapet në flagrancë me 20 qese me marihuanë, shoqërohet në stacion

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në Skenderaj, ku një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Mbreti Agron’, ka ndalur për kontroll një veturë.

Burimet e Sinjalit njoftojnë se gjatë kontrollit të automjetit, Policia ka gjetur një sasi të substancës së dyshuar narkotike, e llojit marihuanë, e ndarë në rreth 20 qese.

Droga është sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti në dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë