Zbulohet edhe një rast i armëmbajtjes pa leje, 42-vjeçari në Skenderaj kapet me pistoletë dhe fishekë

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar dje në fshatin Tërrnafc të Skenderajt, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një veturë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, 42-vjeçarit i është gjetur një armë zjarri me fishekë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë