Policia e shpall në kërkim Shkelzen Ahmetin që dyshohet se plagosi me armë tre persona
Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për publikimin e fotografisë të personit të dyshuar në rast, me qëllim lokalizimin e tij, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
Personi i dyshuar është:
Shkelzen (Ismet) Ahmeti i lindur me 14.08.1992 banues në Gjakovë.
Lidhur me rastin “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve” pranë Sektorit Rajonal të Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë-
Gjakovë janë duke u zhvilluar hetime intensive ku gjatë veprimeve hetimore është identifikuar I dyshuari i lartcekur.
Në lidhje me rastin nuk është arritur të sigurohet prezenca e personit në fjalë, edhe përkundër angazhimeve hetimore dhe operative nga ana e Sektorit Rajonal të Hetimeve dhe njësiteve tjera në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës, kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë policinë, qoftë përmes numrave të telefoni 192, 080019999 (papagesë) dhe 045/930-220, apo përmes aplikacionit “lajmëro policinë” si dhe në stacionin më të afërt policor.