Kush e hodhi sasinë e barnave të skaduara afër Poklekut? Reagon inspektorati i komunës së Drenasit
Sot, në orën 8:15, Inspektorati i Komunës së Drenasit ka pranuar informacionin se tek vendi në mes të fshatit Poklek dhe Korroticë e Epërme, ishte hedhur sasi e madhe e produkteve medicinale.
Inspektorët komunalë kanë dalë menjëherë në vendngjarje ku kanë gjetur sasinë e madhe të barnave të skaduara. Menjëherë pas konstatimit të gjendjes në terren, Inspektorati ka kontaktuar Inspektoratin Farmaceutik dhe Inspektoratin e Ambientit, të nivelit qendror.
Sasia dhe forma e produkteve të hedhura medicinale nuk hyjnë në kuadër të kompetencave të Inspektoratit Komunal, por, është kontaktuar Policia e Kosovës dhe së bashku kanë dalë në vendngjarje.
Ndërsa me Inspektoratin Farmaceutik është konstatuar gjendja dhe hapat e mëtejshëm konform përgjegjësive.
Zona e tejmbushur me këto produkte farmaceutike është izoluar me shirit nga ana e Inspektoratit të Komunës së Drenasit, ndërkaq pritet nga ana e zyrtarëve të ministrive gjegjëse ndërmarrjen urgjente të të gjitha masave konform legjislacionit dhe organet e ndjekjes të gjejnë kryesit e kësaj vepre dënueshme.
Kërkojmë nga qytetarët të denoncojnë çdo hedhje të mbeturinave në vendet e ndaluara, njëherësh, të ofrojnë bashkëpunim për gjetjen e kryesve të këtij krimi ambiental.
P.S. Bashkangjitur gjeni fotot nga vendi i ngjarjes.