Pamjet: Mërgimtari nga Klina e Epërme në hall me hajnat/ Pasi ia vodhën 5300 euro, i hyjnë në shtëpi dhe tentojnë t’ia vjedhin kafshën shtëpiake

Qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me vjedhje e tentim vjedhje, që po iu bëhen nëpër shtëpitë e tyre.

Kohëve të fundit janë raportuar shumë raste të plaçkitjes.

I tillë është edhe rasti i qytetarit Agim Bajraktari nga Klina e Epërme e Komunës së Skenderajt. Bajraktari në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka treguar se më datën 9 mars të këtij viti, ai dhe familja e tij janë alarmuar nga një tentin-vjedhje që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre.

Bajraktari ka treguar se me anë të kamerës digjitale, djali i tij i cili jeton në Gjermani ka vërejtur një person të panjohur që është futur në oborrin e shtëpisë së tyre dhe ka tentuar t’ia vjedhë kafshën shtëpiake.

VIDEO

“Të shtunën Data 09. 03. 2023 ka ndodhur në oborrin e shtëpisë sime një tentim – vjedhje. Ja kështu ndodhur: Në ora 11e 20 minuta udhëtova me Autobus për në Mitrovicë, kisha një punë. Mbas 10 minutave me thërret djali im me telefon nga Gjermania thotë: BAB nga kamerat e shtëpisë e shohim një person i panjohur ka hy në oborrin e po mundohet ta zë kafshën e shtëpisë, dhinë ta vjedhur”, tregon Bajraktari.

Ai thotë se personi i dyshuar si duket nuk ka qenë në dijeni se janë të instaluara kamerat e sigurisë derisa është ndezur alarmi.

“D.m.th ai më ka përcjell dhe si jam larguar prej shtëpisë edhe menjëherë ka hyrë në oborrin tim Si të ishte i tij pa kurrfarë Maske, mesap s’ka ditur që ka Kamera dhe është kapur e filmuar.

U ktheva nga Rruga me një taksi, rrugës i informova policinë, ata kishin ardhur shpejt, mirëpo djali e ka aktivizuar alarmin, dhe grabitësi s’ka arritur ta zë dhinë. E ka filluar të ikë. Unë me foto nga kamera e denoncova në polici”, ka treguar ai.

Bajraktari, në adresë të gazetës “Bota sot” i ka dërguar edhe fotografitë e nxjerra nga video e kamerës së sigurisë, ku shihet i dyshuari në oborrin e tij.

Zyra për informim e Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, në një përgjigje për gazetën “Bota sot” e ka konfirmuar rastin dhe ka treguar se ka nisur hetimet për “vjedhje në tentativë”.

“Lidhur me pyetjen dhe personin e apostrofuar nga ana juaj, ju njoftojmë se rasti është iniciuar dhe është hetuar në drejtim të veprës penale ‘vjedhje ne tentativë’. Është identifikuar i dyshuari i njëjti është intervistuar me urdhër te prokurorit rasti është në procedure të rregullt. Ndaj të dyshuarit është paraqitur kallëzim penal për veprën penale “Vjedhje në tentative’”, thuhet në përgjigjen e DRP Mitrovicë dhënë gazetës “Bota sot”.

Ndryshe, para rreth një muaji gazeta “Bota sot” kishte raportuar se të njëjtit qytetar z.Agim Bajraktari nga Klina e Epërme e Skenderajt i janë vjedhur 5300 euro në 14 maj të vitit 2023.

Bajraktari atëherë ishte ankuar për neglizhencë të rastit nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Kam shkruar shumë herë i kam than të kryejë lëndën, se nuk ka punë as 20 minuta, vetëm premtime të thata, pasi nuk do. Jam ankuar në të gjitha mënyrat, kot bile prej që e kam lajmërua te ju në revistën e juaj “Bota Sot”, është inatosur në mua sikur të ishte gjykata e saj”, ka treguar Bajraktari.

Këtu mund ta lexoni artikullin për rastin e vjedhjes së 5300 eurove.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë