“Na thanë po presim një ilaç”, rrëfimi i nënës së 11-vjeçarit që humbi jetën pas ndërhyrjes në qepalla

Denis Almadhi ndërroi jetë në moshën 11 vjeçare gjatë një ndërhyrjeje estetike në qepalla. Mungesa e medikamentit dentrolen që duhej të përdorej në çastin kur fëmija gjatë operacionit u prek nga hipertermia malinje, u konsiderua nga gjykatat në Shqipëri si mjekim i pakujdesshëm.

Por dënimi me gjobë i mjekut Kevin Klarkson dhe shpallja i pafajshëm i kolegut të tij Gerald Fahy, prej 2012 shënoi nisjen e një beteje që ende nuk ka marrë fund.

Nga ky proces penal u hapën të tjera padi ndaj prokurorëve të cilët nuk gjetën në spital se kush ishte përgjegjës që medikamenti mungonte.

Sheje Almadhi, nëna e Denisit tregon për podcastin “Fol” të Anila Hoxhës, të transmetuar në Top Albania Radio kalvarin e gjatë prej më shumë se 11 vjetësh.

“Çuni nuk kishte probleme me shikimin, fare. Vetëm rënie qepalle. Për ta zbukuruar ishte. E morëm nga shkolla, e çuam. Këtu, na thoshin që nuk operohet, por, për vdekje kurrë nuk më ka shkuar mendja. Dhimbja është e madhe. Asnjëherë nuk u mora në pyetje, as nga prokurorët, as nga. ..si qe, si ndodhi. Edhe gjyqtari tha “mund ta di kush është kjo?”. “Kush jam unë ?! Unë jam nëna e Denisit”- i thashë. Drejtësia zvarritet dhe drejtësi nuk ka. Ne kemi bërë gjyqe pa fund. Pa fund gjyqe.

Mjekët. Mjekët ishin. Sepse çuni nuk kishte asnjë lloj problemi.

Procesi është në Gjykatë të Lartë. Gjykata e Lartë ka dalë me një vendim që tashti nuk e merr për shqyrtim mospranim rekursi, thotë ai. Arsyeja se di. Se kam vendimet këtu. Mospranim rekursi thotë ankimimit.

Deri në fund, ku të jenë këto. Sa kam marrë vendimet e Gjykatës së Lartë. Do shkojmë pastaj në kushtetuese dhe pastaj në Strasburg. Të gjitha shkallët.

Më iku fëmija dhe e dinë të gjithë si shkuan rrjedhoja. Jo nuk është ashtu siç thua ti, është kështu siç dua unë. Ndërkohë kam paditur në gjyq edhe prokurorë edhe këto, gjykata e kthen mbrapsht. Thotë mospranim rekursi.

Ska ardh asnjë. Asnjë ska ardh me trokitë tek dera. Apo kot thjesht, një telefon “ore na ndodhi, u bë, apo si qysh“. Absolutisht.

E shihja infermierët që kishin lëvizje. Ne kishim zërë derën nga ku do të dilte dhe dera ku hyri. Nuk na treguan. Më pas na morën dhe na futën në sallë të operacionit. Na thanë që ka ndodhur një komplikacion dhe kërkohet një ilaç. Po presim që të na i sjellin. Por kur kam hyrë në sallë, çuni…. Nuk doja të besoja, por çuni ka pas vdekur. Kur më pyet ndonjë, ndihem shumë në siklet që më pyet sa fëmijë ke, se s’di çfarë ti thuash. Se s’do të japësh shpjegime.” – tha ajo për TCH.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë