Skenderaj: Policët civilë ndalojnë një veturë, iu gjejnë marihuanë tre të rinjve

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Një rast i tillë është zbuluar edhe sot në fshatin Prelloc në Skenderaj, ku disa zyrtarë policorë, në rroba civile, ndaluan për kontroll një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas kontrollit në veturë, njësia policore ka gjetur një sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë.

Për shkak të posedimit drogës, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar për veprën me të cilën ngarkohen, ndërsa sasia e marihuanës është konfiskuar.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit./Sinjali/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë