Tragjike: Vdes një punëtor i fabrikës, ra në makinën për përzierjen e betonit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën pasdite në Gjilan, ku një punëtor i një kompanie të tullave ka humbur jetën pasi pësoi lëndime të rënda trupore derisa ishte duke punuar. Viktima vdiq pasi u dërgua në spital, ndërkohë që tashmë Policia ka nisur hetimet në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

Kështu kanë bërë me dije burimet e Sinjalit nga Emergjenca, që njoftuan se vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar, teksa trupi i pajetë më pas është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.

Siç mëson Sinjali, viktima punonte në kompaninë e tullave, ku dyshohet se derisa ishte duke punuar ka rënë në një makineri të betonit dhe fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe Inspektorët e Punës për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Lidhur me rastin, tashmë është iniciuar hetimi për veprën “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë