I mirëpriten si refugjatë në kohën e luftës, vëllezërit Thaçi nga Komorani shpëtojnë nga falimentimi “Unionin” në Goriza të Italisë

Në vitin 1998 vëllezërit Mefail dhe Egzon Thaçi kishin shkuar si refugjatë në qytetin e Gorizias në Itali.

Rreth 25 vite më pas, dy vëllezërit janë bërë protagonist në mediet italiane, me lajmin se kanë shpëtuar nga falimentimi “Unionin e Gjimnastikës”, në këtë qytet të themeluar në vitin 1868, duke shlyer borxhet në vlerë prej 120 mijë eurove.

Ky gjest i dy vëllezërve nga Komorani i Drenasit, është duartrokitur që nga punonjësit e këtij institucioni e deri të kryetari i kësaj komune.

Egzoni thotë se nuk është hera e parë që kanë ndihmuar në emër të familjes, por edhe gjithë kosovarëve.

“Kur kemi ardhur në këtu gjatë luftës ka qenë një pritje shumë bujare e mirë, na kanë hap dyert si më qenë në shtëpitë tona. Ky rasti i fundit ka qenë një rast specifik që i ka prekur të gjithë. Donacionin e kemi dhënë firma jonë “Goni SRL”, në emër të familjes, (120 mijë euro), por edhe gjithë kosovarëve. “Unioni i Gjimnastikës”, së Gorizias ka qenë prej vitit 1868, është vet historia e qytetit dhe ky institucion ka qenë duke falimentuar, sepse ka pas borxhe në banka dhe na kem fol si familje dhe i kemi kërkuar kryetarit komunës me dhanë një ndihmë në shenjë falënderimi për mikpritjen që na ka bërë ky dhe shteti i Italisë”, ka rrëfyer ai për IndeksOnline.

Vëllezërit kosovarë morën falënderime të shumta nga Presidentja e këtij Unioni, nga Kryetari i Komunës, dhe nga mijëra qytetarë që kanë dëgjuar për këtë gjest human të bërë nga familja Thaçi dhe tani Unioni i Gjimnastikës së Gorizias, po vazhdon aktivitetet e tij.

Poashtu vëllëzërve Thaçi së fundi në vizitë u kanë shkuar edhe deputetë e zyrtarë të PDK-së për t’i përgëzuar për këtë gjest.

Nënkryetarja e parë e PDK-së, Vlora Çitaku, gjatë vizitës në familjen e vëllezërve Thaçi ka thënë se nuk ka ndjenje më të madhe të krenarisë së sa me ju i pa të barabartë me qytetarët Italian.

Çitaku ka thënë se sot shqiptarët në Itali i mbushin ballinat e gazetave italiane, jo me rrëfime të refugjatëve të luftës, por me storie suksesi.

“Jemi sot bashkë me ju dhe të festojmë bashkë, sepse kjo është festë. Kur vijmë në mërgatë, Itali dhe bëhemi dëshmitarë të suksesit të gjysmës që jeton këtu.

“Jo vetëm të barabartë, por kontribuues duke i mbush ballinat e gazetave italiane, jo me rrëfime të refugjatëve të luftës, por me rrëfime suksesi. Jo si kërkues, por si kontribuues dhe kështu siç jeni në Itali frymëzim jeni edhe për ne në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera ajo./IndeksOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë