Digjet prona me të mbjella në këtë fshat të Drenicës, dëmi rreth 80 mijë euro – pronari kërkon ndihmën e Policisë

Të dielën në mëngjes, një pronë me të mbjella në fshatin Prekaz i Poshtëm i Skenderajt është përfshirë nga flakët, nga persona akoma të paidentifikuar. Të dyshuarit ia dogjën pronën një 43-vjeçari, i cili kërkoi ndihmën e Policisë, duke e denoncuar rastin.

Siç mëson Sinjali, pronari e ka raportuar incidentin dhe ka deklaruar se përveç arës që iu dogj, flakët e kapluan edhe sistemin e ujitjes, që po ashtu u bë shkrumb e hi.

Bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve policorë, dëmi që ka shkaktuar zjarri që shpërtheu kap vlerën e rreth 80 mijë eurove.

Posa Policia është njoftuar për rastin, njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Lidhur me këtë incident, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme për zbulimin e të dyshuarve dhe kapjen e tyre.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë