Pas 20 vjetësh, kompania “Sopi” kërkon paratë që ia morën “7 Vëllezërit” (VIDEO)
Rregullimi i ujërave të zeza të qytetit të Ferizajt, dy dekada më parë, ka bërë që për mbi 10 vjet të përballen në Gjykatë dy kompanitë që përfunduan këtë projekt.
Kompania “Sopi” dhe ajo “Shtatë vëllezërit” nuk po arrijnë të zgjidhin kontestin e tyre që nisi në vitin 2003, as pas gjithë këtyre viteve e pas gjykimit në dy shkallë të gjykatave.
E gjithë historia nisi kur kompania “Sopi” doli fituese e procesit të prokurimit nga Komuna e Ferizajt si punëkryes, por furnitor i saj u zgjodh një kompani tjetër nga Ferizaj, ajo “Shtatë Vëllezërit” me pronar Hevzi Dauti, raporton Kiks Kosova.
Projekti për ndërtimin e kanalizimit të pjesës lindore të qytetit Ferizaj ishte bashkëfinancim i komunës me participimin e qytetarëve të asaj zone. Ky projekt kushtoi 387 mijë e 222 euro, ku 90 mijë prej të cilave i dha komuniteti i qytetarëve.
Nga këto të holla, 289 mijë euro do t’i takonin operatorit ekonomik “Sopi” me pronar Naim Sopin, ndërsa 89 mijë euro ishin për kompaninë e Hevzi Dautit, puna e të cilit ishte vetëm të sillte materialet e nevojshme për ndërtimin e kanalizimit për trajtimin e ujërave të zeza.
Por historia u ngatërrua për faktin se paratë për këtë projekt do të derdheshin nga dy burime të ndryshme financiare, komunës dhe fondit të krijuar nga qytetarët, për çka ndodhi problemi kur furnitori mori mbi 50 mijë euro me tepër sesa i takonin.
Bazuar në disa dokumente që kompania Sopi ia ka prezantuar Kiksit e të cilat janë marrë si prova edhe nga gjykatat, kompania “Shtatë Vëllezërit” mori 40 mijë eurot e para nga fondi i qytetarëve dhe 35 mijë nga autorizimi i komunës për pagesën, kurse 14 mijë të tjera u paguan në këtë formë: 3 mijë prej tyre u paguan kesh, kurse 11 mbetën si borxh, të cilat u shlyen në ndërkohë.
Për 89 mijë eurot që mori Hevzi Dauti, sipas avokatit të kompanisë “Sopi”, gjithçka ishte sipas marrëveshjes. Por kësaj kompanie “i qan zemra” se “Shtatë Vëllezërit” i morën edhe 49 mijë e 903 euro shtesë nga buxheti i qytetarëve pa dijeninë e saj, duke bërë që krejt fondi i mbledhur nga qytetarët të shkojë në llogarinë e furnitorit e jo te punëkryesi ashtu siç ishin dakorduar në marrëveshje.
E përveç dëmit që arrin vlerën e rreth 50 mijë eurove, pala pretendon se iu falsifikua edhe nënshkrimi i pronarit Naim Sopi.
Në këtë mënyrë u legjitimua edhe pagesa, për shkak se sipas tyre kompania “7 Vëllezërit” i dha autorizimin e falsifikuar komunës, në mënyrë që t’i barten edhe 49 mijë eurot e tjera në llogarinë e tyre bankare.
Pretendimi i tyre i faktuar në dëshmi nuk u mor për bazë nga Gjykata Komerciale, e cila për të vërtetuar një gjë të tillë, kërkoi nga Komuna e Ferizajt dëshmi shtesë.
Dhe ashtu ndodhi, komuna përmes një dokumenti që mban datën 30 tetor 2022, tregoi që kjo kërkesë për pagesë prej 49 mijë euro nuk u bë nga ana e tyre dhe se komuna nuk ka pasur asnjë detyrim financiar nga kompania e Hivzi Dautit.
Dyshimet për manipulim të rastit dhe misteri rreth zhdukjes së parave ka bërë që në këto 20 vjet ta end Naim Sopin nëpër gjykata, madje ai ka dyshime se e gjitha u bë në bashkëpunim mes pronarit Hevzi Dautit nga kryetari i komisionit për mbledhjen e këtij fondi, Ramadan Baliu.
Kiks Kosova ka provuar të vë kontakt me Ramadan Baliun, për të kuptuar të vërtetën e historisë që ndodhi 20 vjet më herët, por ai nuk ka pranuar të flasë për rastin, duke u arsyetuar me faktin se kanë kaluar vite dhe krejt çka ka pasur i ka treguar para trupit gjykues. /Klankosova.tv


