Veteranët e luftës së Kroacisë dhe UÇK-së bëjnë homazhe në Drenas për Fehmi e Xhevë Lladrovci dhe heronjtë e kombit

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, priti në takim veteranët e luftës së Kroacisë dhe të UÇK-së, në krye me Gjeneralin Esat Çollakun me bashkëluftëtarët e tij nga Kroacia dhe veteranin e UÇK-së, Bekim Shytin.

Institucioneve tona, ju mbetet detyrë ta vlerësojnë Brigadën shqiptare në Kroaci, ushtarët e oficerët tanë si pararendës të UÇK-së, të fillimit të viteve ’90, të cilët në frontet e Kroacisë janë kalitur si ushtarë dhe drejtues të UÇK-së, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i plotë:

Sot, ishte krenari me shumë emocion, të pres në komunë, Gjeneral Esat Çollakun, në krye të Shoqatës së Shqiptarëve Mbrojtës të Luftës në Kroaci, veteranin e UÇK-së, Bekim Shytin dhe bashkëluftëtarë të vëllait tim, Fehmiut, nga lufta e Kroacisë, të bisedoj dhe kujtoj historinë tonë të re.

Bashkë, kemi bërë homazhe dhe kemi vendosur lule të freskëta para shtatoreve së Fehës, Xhevës, Ademit, Hamzës, Shabanit, Ilazit, Bedriut, Rasimit dhe Dr. Hafirit në Drenas dhe në Memorialin e dëshmorëve në Gllanasellë.

Lufta e Kroacisë, në rrethana të ndryshme, tuboi në batalione e brigada shqiptarët të cilët e luftonin armikun e përbetuar, Ushtrinë jugosllave dhe Serbinë.

Në Gospiq, Feha dhe Xheva, ishin udhëheqës të “Brigadës 118”, të Ushtrisë kroate, të cilët komandonin vullnetarët shqiptarë në luftë kundër hegjemonisë serbe.

Kroacia ka bërë shumë për veteranët të cilët i kujtojnë shokët, dëshmorët tanë në Kroaci dhe gjithandej Kosovës dhe trojeve ku jetojnë shqiptarë, ku kanë dhënë jetën 87 dëshmorë shqiptarë për lirinë e Kroacisë.

Institucioneve tona, ju mbetet detyrë ta vlerësojnë Brigadën shqiptare në Kroaci, ushtarët e oficerët tanë si pararendës të UÇK-së, të fillimit të viteve ’90, të cilët në frontet e Kroacisë janë kalitur si ushtarë dhe drejtues të UÇK-së.

Përgjegjësi e institucioneve tona është të kërkojnë me ngulm gjetjen e mbi 30 ushtarëve shqiptarë në Kroaci të cilët janë ende të zhdukur në Luftën atdhetare kroate.

Pas homazheve, në shtëpi, bashkë me Hajredin Kuçin, Mejdi Bektashin dhe familjarë, ju ofrova mikpritje mysafirëve veteranë të ushtrisë kroate dhe veteranë të UÇK-së, të cilët sot, na nderuan me praninë e tyre.

Faleminderit Gjeneral Esat Çollaku me bashkëpunëtorë, shqiptarë e kroatë. Faleminderit Bekim, Hajredin, Mejdi dhe mysafirë të tjerë.

Qoftë i paharrueshëm kujtimi për dëshmorët e lirisë në Kosovë, në Kroaci dhe luftërat tjera çlirimtare nga kolonializmi serb!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!


https://instagram.com/p/CxyV4gms4Px/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë