Raportohet se cak i bastisjes në Veri ishte edhe prona e Radoiçiqit

Policia e Kosovës ka kryer kontroll në pesë lokacione në tri komunat e banuara me shumicë serbe në veri.

Sipas informacioneve të Radios Evropa e Lirë në teren, pjesëtarët policorë në Mitrovicë të Veriut janë në afërsi të spitalit të qytetit dhe të restorantit Gray.

Besohet se ky restorant është në pronësi të Ema Radoiçiqit, bashkëshortes së nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Mediumi lokal në Veri, Kontaktplus raportoi se Policia ndodhet para ndërtesës së banimit ku ka jetuar Radoiçiq.

Sipas mediumit dhe pamjeve që janë publikuar, së paku tri autoblinda të Policisë së Kosovës janë përballë restorantit dhe objektit të banimit, rruga është e bllokuar për qarkullim, por jo për këmbësorë. Dy forca speciale janë në hyrje të rrugës.

Policia ka thënë se kontrollet është duke i kryer në koordinim me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj në Banjskë dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë