Vikendi i zi në trafik/ Pesë të vdekur e dhjetëra të lënduar në 109 aksidente

Pesë persona kanë humbur jetën gjatë vikendit dhe dhjetëra të tjerë kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e aksidenteve në rrugët e Kosovës. Të dhënat e policisë tregojnë se vetëm gjatë së shtunës dhe të dielës, janë raportuar 109 aksidente trafiku, prej të cilave tri kanë përfunduar me fatalitet, 41 me persona të lënduar dhe 65 të tjera me dëme materiale, transmeton IndeksOnline.

IndeksOnline kishte raportuar mbrëmjen  e së shtunës për një vetaksident trafiku në Shajkoc të Podujevës. Si pasojë, vozitësi dhe një pasagjer kanë vdekur, ndërsa pasagjeri tjetër , ka pësuar lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në IML për obduksion.

Vetëm pak minuta më vonë u raportua edhe për aksidentin në Ozdrim të Pejës ku një shofer kishte goditur me veturë tre këmbësor, ku dy prej tyre vdiqën ndërsa tjetri ndodhet në QKUK për tretman mjekësor. Shoferi është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes.

Aksidenti tjetër me pasoja fatale kishte ndodhur në Llapnasellë të  Graqanicës, po ashtu të shtunën pasdite. Në aksident ishin përfshirë dy vetura ku përveç dëmeve materiale, lëndime ka pësuar njëri nga vozitësit mashkull kosovar, ndërsa pasagjerja femër kosovare ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit vozitësi i dyshuar kosovar, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Policia së fundi ka shtuar angazhimin e saj në trafik mirëpo pavarësisht masave, aksidentet në numër janë me shifra shqetësuese. Vetëm gjatë së shtunës dhe të dielës, policia ka shqiptuar afër 3 mijë gjoba ndaj kundërvajtësve.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë