“Veç je i sëmurë se ta kisha tregu vendin”, deputeti nga Drenasi pretendon se Bekë Berisha e kërcënoi
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka akuzuar kryetarin e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, se ka kërcënuar verbalisht deputetin e kësaj partie, Enver Dugolli.
Ky i fundit tha se në komision kryetari Berisha ndezi cigaren. Madje tha se nuk pranoi që ta fikë edhe pse i kërkoi deputetit Dimal Basha.
Dugolli më tej sqaroi se Berisha e humbi arsyen dhe e kërcënoi në prezencë të Policisë duke i thënë se “vetëm je i sëmurë e keq me shëndet se ta kisha treguar vendin këtu”.
“Dua të ju njoftoj se kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha, fillimisht bëri shkelje ligjore duke ndezur cigare në ambiente të mbyllura të Kuvendit të Kosovës dhe në momentin që mori vërejtje nga deputeti Dimal Basha që ta fikë cigaren, lëre që nuk e fiku por bëri sjellje të një njeriu të fortë, filloi ta humb arsyen dhe në momentin që nuk mori përgjigje nga drejtori i Policisë, më kërcënoi verbalisht në prezencë me fjalët se ‘vetëm je i sëmurë e keq me shëndet se ta kisha tregu vendin këtu’ që ishte kërcenim verbal”, ka thënë ai.
Deklarimet e deputetit të VV-së i mohoi Berisha, duke thënë se Dugolli gënjeu dhe se “ato po i shfrytëzon për vota”.
“Deputeti Dugolli e ka shumë problem zgjedhjen edhe një mandat dhe tash zgjedhjet janë afër. Këta kanë dështuar në çdo aspekt dhe në këtë formë kanë me u mundua tash e tutje edhe deputetë tjerë me nxjerrë këso gënjeshtre për me marrë votë. Unë do ta pyes se problemi ke, nëse dëshiron me marr ndonjë vote dil gënje në forma të ndryshme sepse kjo formë e viktimizimit është konsumuar dhe nuk e ka kërcënuar askush”, tha Berisha.
Dugolli paralajmëroi se do t’i ndjek hapat e mëtutjeshëm ndaj Bekë Berishës.
“Për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm ndaj deputetëve të komisionit, unë do t’i ndjek procedurat e duhura parlamentare dhe do t’i drejtohem kryetarit të Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit për adresimin e masave disiplinore ndaj Bekë Berisha”, tha tutje Dugolli.


