I riu kapet në flagrancë duke vjedhur në shitoren ‘Maxi’ në Prishtinë, zv/menaxherja e ndjek me vrap

Rastet e vjedhjeve nëpër shitore dhe biznese në Kosovë nuk janë të rralla, por jo gjithmonë kapen personat e dyshuar, pasi të njëjtit arrijnë të ikin. Kështu nuk ndodhi me një person i cili dyshohet se kreu vjedhje në shitoren ‘Maxi’ në lagjen Kalabria në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se zëvendësmenaxherja e shitores ka kapur në flagrancë të dyshuarin, duke vjedhur produkte ushqimore dhe më pas i njëjti ka tentuar që të ik me shpejtësi nga aty.

Ka qenë vet punonjësja e kompanisë ajo e cila i është vënë pas të dyshuarit, duke e ndjekur që ta kap dhe ta dorëzojë tek organet e rendit. Rrugës teksa po vraponte, ankuesja ka hasur në një patrullë të Policisë të cilët e kanë pyetur se çfarë ka ndodhur dhe pas marrjes së informatës, ata janë vënë në ndjekje të të riut.

24-vjeçari është arritur që të kapet dhe i njëjti pas arrestimit është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Po ashtu ai dyshohet se ka kryer edhe një vjedhje tjetër, për të cilën kishin nisur hetimet nga organet e hetuesisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë