Drenasi, komuna e katërt më transparente në vitin 2022

Komuna e Skenderajt është më transparentja për vitin 2022, sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) që të mërkurën ka publikuar “Indeksin e Transparencës për Qeverisjen Komunale”.

Sipas njoftimit, komunat janë vlerësuar në 87 indikatorë për tetë shtylla: 1) transparenca në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, 2) transparenca buxhetore, 3) transparenca në grantet dhe subvencionet komunale, 4) përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen komunale, 5) qasja në dokumente publike, 6) përgjegjshmëria e komunave për të adresuar risqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit, 7) menaxhimi i pronës komunale, si dhe 8) transparenca e ndërmarrjeve dhe organizatave publike në pronësi të komunave.

Indeksi i transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2022 e rendit Komunën e Skenderajt më transparenten me 92.63 pikë (nga maksimumi prej 100 pikëve në 87 treguesit e matur), pasuar nga komunat e Lipjanit dhe Mitrovicës të vlerësuara me 91.13 pikë, Prizreni (90.63 pikë), Drenasi (89.88 pikë), Prishtina (89.13 pikë), Rahoveci (88.94), Ferizaj (86.94 pikë), Gjakova (85.38 pikë) dhe Hani i Elezit (83.62 pikë), dhe Dragashi (82.73 pikë).

15 komunat me rritjen më të lartë të transparencës krahasuar me vitin 2021 janë Skenderaj, Istogu, Deçani, Prizreni, Malisheva, Kamenica, Hani i Elezit, Dragashi, Drenasi, Klina, Juniku, Suhareka, Obiliqi, Lipjani dhe Graçanica.

Katër komunat veriore, Leposaviqi, Mitrovica e Veriut, Zubin-Potoku dhe Zveçani, kanë pikët më të ulëta sa i përket transparencës.

“KDI inkurajon të gjitha komunat të analizojnë ku çalojnë sa i përket matjeve të 2022 dhe të përkushtohen për të përmbushur standardet e transparencës gjatë viteve në vijim. KDI kërkon nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit që urgjentisht të rregullojnë çështjen e uebfaqeve të komunës në mënyre që ato të jenë funksionale dhe në shërbim të publikut”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë