Përleshja në ndeshje/ Ky është futbollisti që dyshohet se rrahu gjyqtarin (PAMJE)

Mediat raportuan sot për përleshjen që ndodhi të dielën në stadiumin “Ruzhdi Ramosaj” në Deçan, ku po zhvillohej ndeshja futbollistike mes KF Deçanit dhe skuadrës nga Gjakova, KF Dukagjini. Një futbollist nga banka rezervë e ekipit të Dukagjinit, për motive akoma të panjohura po dyshohet se ka sulmuar fizikisht gjyqtarin kryesor të ndeshjes. Për pasojë ai ka përfunduar në Polici dhe ndaj tij kanë nisur hetimet.

Por kush është futbollisti që u fut në sherr dhe cili është gjyqtari që e pësoi?

Burimet e Sinjalit kanë bërë në dije se këtë herë në rast është përfshirë futbollisti Tush Perkolaj, i cili dyshohet se e ka sulmuar me grusht në kokë gjyqtarin kryesor të ndeshjes, Pren Kabashi.

Ky i fundit u grushtua nga futbollisti, i cili doli nga banka rezervë dhe iu fut në fushë, duke e goditur.

Me t’u tensionuar situata, Policia ka intervenuar duke e arrestuar futbollistin e dyshuar, ndërsa gjyqtari është dërguar në Qendrën Emergjente për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Sinjalizuesit e Sinjalit kanë dërguar edhe pamje nga momenti kur ndodhi incidenti dhe u shkaktua tollovi në fushën e gjelbër.

Ndryshe, këtë ndeshje e ka fituar KF Deçani, me rezultat 5:2 ndaj KF Dukagjinit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë