Rrahje mes dy vëllezërve në fabrikë, dërgohen në mbajtje
Konfliktet në vendet e punës janë incidente goxha të shpeshta që ndodhin në biznese të ndryshme në Kosovë. Mosmarrëveshjet për punë shpesh eskalojnë edhe në kanosje e përleshje dhe për pasojë përfundojnë si raste në Polici. Kështu po dyshohet se ka ndodhur edhe të hënën në një fabrikë në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë në rast janë përfshirë dy vëllezër, punëtorë të kësaj kompanie, të cilët janë përfshirë në një përleshje pas një zënke që patën me njëri-tjetrin lidhur me punën.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për të dyshuarit A.Kokalla dhe B.Kokalla, të cilët po dyshohen se derisa kanë qenë duke punuar, janë rrahur mes vete, duke i shkaktuar njëri-tjetrit lëndime trupore, për çka morën trajtim mjekësor.
Kjo situatë alarmoi përgjegjësit e fabrikës dhe rasti u denoncua menjëherë në Polici, me ç’rast të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.
Ndaj tyre, Prokurori i Shteti ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.
Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë edhe versionin e kompanisë por të njëjtit akoma nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e redaksisë.


