Mbrojtja e ish-presidentit: Disa individë mund të kenë kryer krime nga hakmarrja, por asnjëherë UÇK-ja

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, në fjalën e tij hyrëse tha klienti i tij nuk ka pasur motiv për të kryer krimet për të cilat akuzohet.

“Ai e dinte se suksesi i UÇK-së varej nga mbështetja ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-ja”, tha ai, duke përmendur disa kushte që SHBA-ja i kishte vendosur UÇK-së për funksionimin e saj, që përfshinte atë që të mos sulmonin civilët.

Kehoe kundërshtoi deklaratën hyrëse të prokurorëve të specializuar që u dha gjatë të hënës.

“ZPS-ja dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë funksionale komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës. Faktet e asaj që ndodhën në terren duam të vendosim në kontekst”, tha ai.

Kehoe tha se Thaçi e ka pranuar se janë kryer krime gjatë luftës nga disa individë, por hedh poshtë akuzat e prokurorisë se këto krime janë kryer në bazë të një politike të udhëhequr nga UÇK-ja.

“Ai e kundërshton pretendimin e ZPS se janë kryer në bazë të një politike të Shtabit të Përgjithshëm apo që ka pasur krime sistematike dhe të përhapur”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë