BIK-u u bën thirrje besimtarëve që t’i bashkohen marshit “Liria ka emër”

Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se do të përkrah dhe mbështesë marshin “Liria ka emër” për t’u solidarizuar me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

BIK-u, nëpërmjet një kumtese për media bën të ditur se sot, në hytben e xhumasë, në të gjitha xhamitë e Kosovës do t’u bëjë thirrje besimtarëve t’i bashkohen këtij marshi.

“Bashkësia Islame e Kosovës përkrah dhe mbështet marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Bashkësia Islame e Kosovës beson fuqishëm në pastërtinë e luftës së drejtë të UÇK-së dhe vlerëson lart sakrificën e UÇK-së për lirinë e vendit, si një nga vlerat më të larta e të shenjta të popullit tonë”.

Mes tjerash, u kanë bërë thirrje të gjithë besimtarëve që për hir të gjithë dëshmorëve të bashkohen në marsh.

“Me këtë rast, Bashkësia Islame e Kosovës fton dhe bën apel te të gjithë besimtarët që në shenjë respekti e vlerësimi për sakrificën sublime të UÇK-së, dhe për hir të të gjithë atyre dëshmorëve që dhanë jetën për liri, të marshojmë të gjithë së bashku për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në mënyrë që t’i dalim zot vlerave tona të shenjta”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë