“I dua paratë ose do ta pres kokën”, kërcënohet 43-vjeçarja në Mitrovicë, Policia e shpall në kërkim të dyshuarin
Mosmarrëveshjet për para, borxhet e vonesa e pagesave shpeshherë bëhen mollë sherri mes qytetarëve që përfshihen në incidente të ndryshme, që eskalojnë edhe në kanosje serioze. Një rast i tillë që dyshohet të ketë ndodhur në Mitrovicë është denoncuar edhe gjatë ditës së sotme në Polici, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se një 43-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë, për shkak të kërcënimeve me të cilët është përballur nga i dyshuari S.C.
Sipas informacioneve të para, për motive akoma të panjohura, por që lidhen me paratë, i dyshuari e ka kërcënuar seriozisht viktimën se “I dua paratë ose do ta pres kokën”, duke i dhënë ultimatum për t’ia dhënë të hollat që po i kërkonte.
Përballë kësaj situate, viktima e ka raportuar rastin në Polici, ku ka deponuar dhe dëshmi, me ç’rast kanë nisur hetimet. I dyshuari për këtë rast është shpallur në kërkim dhe akoma Policia s’ka rënë në gjurmët e tij.
Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti për veprën penale “Kanosje” dhe veprimet e tjera do të ndërmerren posa të kapet i njëjti.

