Ndodhë edhe kjo/ Dy të rinj me një gyp e bënë telashe ‘ExFis-in’, ia vodhën 60 mijë euro derivate për pak muaj

Pikat e pompës së derivateve ‘Ex fis’ në qytete të ndryshme të Kosovës vazhdimisht kanë qenë cak i grabitjeve nga hajnat të cilët kanë arritur që të marrin shuma të majme parash. ‘Ex Fis’ në rrugën ‘Enver Topalli’ në Ferizaj së fundi është përballur me një vjedhje jo fort të zakontë, raporton Gazeta Sinjali.

Dy të rinj janë kapur në flagrancë në orët e para të mëngjesit të sotëm teksa po vidhnin derivate. Këtë ‘veprimtari’, ata dyshohet se po e ushtronin që nga muaji korrik i këtij viti.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se dy të dyshuarit të gjithë vjedhjen e kryenin me një gyp uji dhe në një largësi rreth 100 metra nga depoja e derivateve.

Që aty, ata dyshohet se transferonin derivatet në automjetin e tyre me të cilin transportonin naftën e vjedhur. Bazuar në dëshminë e përfaqësuesit të kompanisë, kjo vjedhja ka ndodhur në vazhdimësi që nga korriku dhe që atëherë janë vjedhur derivate në vlerë të 60 mijë eurove.

Njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë në flagrancë në vendin e ngjarjes dy të rinjtë dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë