Maturantja që fitoi më së shumti pikë në Testin e Maturës në nivel vendi

Me gjithsej 95 pikë, Lyra Purrini, është nxënësja që mori më së shumti pikë në nivel vendi në Testin e Maturës.

Nxënësja nga Gjakova, tha se ndihet shumë e kënaqur dhe e motivuar me arritjen e këtij rezultati.

Ajo tha se para këtij provimi kishte mësuar në mënyrë sistematike, por që nuk kishte pritur që do të dilte më e mira në nivel vendi.

“Para testimit, kam qenë nxënëse që kam mësuar sistematikisht, pra kam qenë shumë aktive në mësimet e mia dhe kam pasur një bazë të fortë të fituar në shkollën fillore, dhe puna e profesorëve në shkollë të mesme në përgjithësi më ka ndihmuar shumë në test, po ashtu kam shkuar edhe në disa kurse që kanë mbajtur universitetit private në shkollën tonë. Ditën e testit kam pasur shumë emocione edhe e kam marrë me shumë siklet dhe nuk e kam pasur idenë që do të arrij të marr kaq shumë pikë, sidomos më së shumti pikë në krejt Kosovën… Mendoja që do të isha më së shumti në gjimnaz apo Gjakovë por jo edhe në krejt Kosovën”, ka thënë Purrini.

Ajo tha se për të, pyetjet nga matematika kanë qenë më të vështira, sesa pyetjet e lëndëve të tjera.

Ajo madje tha se ka qenë e parafundit që e ka dorëzuar testin , në sallën ku ishte.

Purrini tha se dëshiron që në studimet t’i fillojë në Fakultetin e Juridikut, në Universitetin e Prishtinës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë