Lladrovci ngushëllon familjen Zeqiri për vdekjen e Dautit: Nga lokali i tij jemi nisur në drejtim të Prekazit kur është sulmuar Kulla e Jasharajve

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci e ka ngushëlluar familjen Zeqiri nga Tetova për vdekjen e Dautit.

Sipas Lladrovcit, ky lajm na tronditi pa masë, sepse, ruajmë kujtimet më të mira për punën e tij në Drenas.

Ai ishte shok besnik i idealeve për çlirim, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare në Kosovë dhe trojet tjera etnike.

Telegram ngushëllimi nga Lladrovci:

E nderuara Familje Zeqiri, Shemshovë, Tetovë

Me dhimbje të madhe mora lajmin se Dauti ka ndërruar jetë. Ky lajm na tronditi pa masë, sepse, ruajmë kujtimet më të mira për punën e tij në Drenas. Ai ishte shok besnik i idealeve për çlirim, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare në Kosovë dhe trojet tjera etnike.

Veprimtaria jonë çlirimtare nuk do të ishte e mundur pa shokët atdhetarë si Dauti, me vendosmërinë dhe guximin e të cilit ne ishim krenar, andaj, Familje e nderuar Zeqiri, nuk jeni vetëm në këtë dhimbje të madhe.

Te Dauti, në lokalin “Teuta” në Drenas, unë dhe dhjetëra atdhetarë të komunës tonë dhe më gjerë, me vite, e kishim vendin e besueshëm të pikëtakimeve tona me qëllim të veprimtarisë tonë kundër okupatorit.

Madje, me shumë shokë, nga ky lokal jemi nisur në drejtim të Prekazit kur është sulmuar për herë të parë Kulla e Jasharajve më 30 dhjetor 1991. Dauti do të ishte gjithmonë gatitu për çdo detyrë që e shihte të dobishme për çlirim, duke qenë krah i fortë dhe besnik i paepur i çështjes kombëtare.

Veprimtaria e tij e hershme atdhetare, nga vitet ’80 deri në pjesëmarrjen në tri luftërat çlirimtare, kurrë nuk do të harrohet.

Familje e nderuar Zeqiri, miq e dashamir të Dautit, mbahuni të fortë dhe pranoni ngushëllimet më të përzemërta nga unë dhe në emër të qytetarëve të komunës së Drenasit.

Ramiz Lladrovci

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë