Shefqet Baleci zgjedhet gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën e Drenasit për 5 vjet

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në mbledhjen e 274-të, të mbajtur të mërkurën ka zgjedhur udhëheqësit për dy nga degët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, asaj të Podujevës dhe të Drenasit.

KGJK ka zgjedhur gjykatësin Minir Hoti si gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, pasi ky i fundit mori besimin e tetë anëtarëve të Këshillit që morën pjesë në votim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, si gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, Këshilli ka zgjedhur gjykatësin Shefshet Baleci. Pro kandidaturës së tij votuan gjithsej tetë nga anëtarët e Këshillit që morën pjesë në votim.

Në këto dy procedura të votimit për këto pozita, ka abstenuar anëtarja e KGJK-së, Radojka Trifunoviq.

Mandati i Hotit dhe Balecit në pozitën e gjykatësit mbikëqyrës do të jetë pesëvjeçar dhe do të fillojë së zbatuari që nga 1 janari 2022.

Paraprakisht, anëtari i Komisionit Vlerësues, Avni Mehmeti ka njoftuar se për këto dy konkurse të shpallura nga KGJK, kanë aplikuar vetëm nga një kandidatë për secilën nga gjykatat respektive.

Për pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë ka aplikuar gjykatësi Hoti, ndërsa për të udhëhequr me Gjykatën e Drenasit ka kandiduar gjykatësi Baleci.

Mehmeti deklaroi se të dy këta kandidatë, pas vlerësimit të dokumentacionit dhe procesit të intervistimit, është konstatuar se i plotësojnë kushtet ligjore për këto pozita, duke i rekomanduar Këshillit që të aprovojë rekomandimin e komisionit për caktimin e tyre si udhëheqës të këtyre gjykatave.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë