Drenas/ Me Akademi Solemne shënohet 113 vjetori i Kongresit të Manastirit

Edhe këtë vit, Komuna e Drenasit ka shënuar 113 vjetorin e Kongresit të Manastirit me një Akademi Solemne, manifestim ky tanimë tradicional.

Akademia Solemne e Kongresit të Manastirit është shënuar duke respektuar rekomandimet nga IKSHP-ja për mbrojtën nga pandemia. Kjo datë e shënuar përkon edhe me fillimin e mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit i cili u mbajt në Tiranë nga 20 deri më 25 nëntor 1972.

Në Akademinë e cila është organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, morën pjesë, nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, drejtor të drejtorive komunale, drejtor të institucioneve arsimore dhe pjesëmarrës tjerë.

Në fjalën e hapjes së kësaj Akademie, nënkryetari Shala, ka përshëndetur të pranishmit dhe ka bërë një përmbledhje të kësaj ngjarje dhe ka theksuar rëndësinë e Kongresit të Manastirit si një rezultat i një tradite dhe përpjekje shumëshekullore për liri e arsimim.

“Le të na shërbejë ky përvjetor si një kërkesë për të gjithë ne, historian, gjuhëtarë, shkrimtar e publicistë, të hulumtojmë e të studiojmë burime të ndryshme arkivore dhe të publikojmë të gjeturat. Drenasi është më far, që për sa vite me radhë vazhdon tradicionalisht ta shënojë këtë përvjetor me Akademi Solemne, datë kjo e rëndësishme për historinë dhe kulturën tonë”, ka thënë nënkryetari i Komunës.

Profesori Ragip Hamza, në kumtesën e tij analizoj rëndësinë e Kongresit të Alfabetit nga këndvështrimi i ndryshëm kulturor, arsimor e politik, si dhe ka theksuar rolin e Kongresit të Manastirit për ngritjen e vetëdijes kombëtare si një përpjekje për shkëputje përfundimtare nga Perandoria Osmane.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë