Lladrovci: Qytetarët e komunës së Drenasit nuk bëhen argat të keqbërësve!

Kryetari i Drenasit, njëherësh kandidat për mandatin e ardhshëm qeverisës, Ramiz Lladrovci në një opinion në ‘Facebook’, është shprehur i lumtur për ecurinë e deritanishme të qetë të fushatës, duke respektuar të gjitha masat ani-covid.

Lladrovci ndër të tjerash ka shkruar qytetarët nuk duhet të bëhen argat të keqberësve dhe të mos i nënshtrohen propagandës së tyre, që sipas tij, po mundohen të mjegullojnë sukseset e qeverisjes komunale.

“Bashkë, ua tregojmë vendin edhe një herë keqbërësve. Kam besim të fuqishëm se ju, qytetarët e komunës së Drenasit, kampion të Kosovës me qeverisje të mirë, nuk bëheni argat të keqbërësve as delegatëve të tyre keqbërës”, ka shkruar Lladrovci.

Shkrimi i tij i plotë

Qytetarët e komunës së Drenasit nuk bëhen argat të keqbërësve!
Fushata zgjedhore edhe tri ditë po arrin në finale. Ne jemi të lumtur për ecurinë e deritashme të qetë të fushatës, duke respektuar të gjitha masat, anti covid. Jam i lumtur se qytetarët e miratuan kërkesën tonë që çdo tubim pa përjashtim, duhet të zhvillohej plotësisht në pajtim me këto masa.
Kjo fushatë, dëshmoi edhe një herë se fushata di të nxjerr nga vetja kandidatët të cilët nuk kishin as integritet, as moral për të dëshmuar motivet e kandidimit, apo me shpjegimin e programit dëshiror, me premtimet e tyre shkelet ligji, me projekte të paligjshme, të parealizueshme, sepse janë të vetëdijshëm se nuk arrijnë të fitojnë.
Jam i bindur se tre kundër kandidatët e mi në kohën kur u rekrutuan bedel nga keqbërësit, e dinin se nuk janë për atë punë, por, lakmia dhe premtimet e keqbërësve ishin aq të mëdha sa i shtynë t’i hyjnë garës. Ata pranuan të jenë të dërguarit e keqbërësve, për të bërë dëme, jo për të fituar.
Prandaj, sulmi ndaj PDK-së nuk ishte i papritur apo i panjohur, sepse, udhëhiqet nga shkolla e vjetër, aktorët e vjetër, me mision të ri – përçarjen e bastionit të PDK-së, komunës me qeverisjen më të mirë në nivel nacional. Komuna e Drenasit në të gjitha fushat, për katër vjet, pësoi ndryshimin të cilin qytetarët nuk e kishin parë më herët.
Qytetarë të nderuar,
Qëllimi i keqbërësve nuk ishte qeverisja e mirë, por, e kundërta, për të realizuar qëllimet personale e familjare. Kjo nuk më befasonte, sepse, këta keqbërës i njihja, i largova nga ndikimi në vendimmarrje, i largova nga zonat ku mund të punonin pa ligj. Përkrahja e tyre as më duhej mua, as i duhet komunës së Drenasit.
Në pamundësi të ballafaqohen me mua që zbatoj ligj, pavarësisht a është i fortë apo i pasur, keqbërësit i rekrutuan bedelët e tyre, për të mjegulluar sukseset e komunës tonë, për të nxirë çdo punë të mirë katërvjeçare e cila në disa indikatorë, është më e madhe se gjithë puna 40 vjeçare e qeverisjeve të kaluara lokale.
Qytetarë të nderuar,
Sot, jemi tri ditë larg zgjedhjeve dhe mos iu nënshtroni propagandës së keqbërësve. Kam pasur dhe kam besim se do të vendosni për zbatuesin e pakompromis të ligjit. Prandaj, qytetarë, mos lejoni të jeni argat të keqbërësve!
Bashkë, ua tregojmë vendin edhe një herë keqbërësve. Kam besim të fuqishëm se ju, qytetarët e komunës së Drenasit, kampion të Kosovës me qeverisje të mirë, nuk bëheni argat të keqbërësve as delegatëve të tyre keqbërës.
Bashkë për Drenasin!
#PDK 177
Ramiz Lladrovci

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë