Prolog elektoral

Shkruan: Arbër Halilaj

Sot, zyrtarisht, fillon një fushatë promovimi para zgjedhjeve lokale 2021, që në fakt fillon shumë më herët, siç është bërë zakon!
Sivjet këto zgjedhje vijnë në një situatë të pazakontë, edhe botërore jo vetëm lokale, kur jemi të rrethuar me pandemi, vdekje e lajme të trishta në të gjitha anët, që e zbehë vullnetin dhe dëshirën për tematika tjera. Por, jeta megjithatë duhet të vazhdojë!

Në zgjedhjet që po vijnë, Ju bashkëvendasit e mi, zgjedhni jo vetëm Kryetarin, asambleistët, organet e reja dhe drejtuesit e komunës. Është shumë më tepër se kaq! Ju zgjedhni se kujt do t’ia falni menaxhimin e katër viteve të jetës suaj dhe të familjarëve tuaj, katër vite të orës jetësore! Kjo është shumë e madhe dhe e vlefshme, sepse koha e përbën jetën, e jeta është ajo më e shtrenjta që kemi!

Prandaj, analizoni mirë se kush janë njerëzit që lypin votën nga Ju dhe mos i votoni për premtimet e bukura të momentit, pa ndonjë Program e plan të realizimit dhe pa ide se si bëhet ndryshimi për të mirë! Votojini ata që i njihni dhe iu besoni, ata që nuk iu kanë zhgënjyer kurrë. Votoni njerëzit jo për çfarë ata përfaqësojnë e prezentojnë sot për sot, jo për atë se a keni përfituar apo jo prej tyre, por për tërë rrugëtimin e tyre jetësor, edukimin familjar dhe intelektual të tyre si dhe veprimet që bartin mbi supe!

Iniciativa jonë qytetare dhe politike “GREEN për Drenas”, ku jam bashkëthemelues me kandidatin për Kryetar Dr.Xhavit Drenorin dhe Blerton Nuhajn, është e përbërë nga njerëz të pastër, entuziastë, aktivistë dhe ekspertë që kanë një vizion për Drenasin si një qytet modern, i begatë dhe i përshtatshëm për një jetë të bukur dhe dinjitoze për të gjithë qytetarët e tij.

Nëpërmjet aktiviteteve tona, ne duam të krijojmë një qytet të pastër sa i përket mjedisit jetësor, gjithëpërfshirës dhe funksional, që siguron cilësinë e jetës për të gjithë pa dallime, një qytet që kujdeset për qytetarët e tij të moshuar, ata socialisht dhe ekonomikisht të pafavorizuar, bashkëqytetarët me aftësi të kufizuara dhe për ata më të vegjëlit dhe më të pambrojturit-fëmijët.

Ne duam të krijojmë një qytet ku me lehtësi dhe kënaqësi mund të bësh biznes, zejtari e tregëti, qytet me shërbime të menaxhuara mirë, qytet të njerëzve të barabartë. Planifikojmë një zhvillim të qëndrueshëm përmes Ekonomisë qarkore si koncept, jetës kulturore-artistike dinamike e një infrastrukture plot gjelbërim dhe parqe rekreative, që do të minimizojë pasojat e ndotjes dhe ndryshimeve klimatike.
Të gjitha këto qëllime dhe vlera, do t’i realizojmë ashtu siç e kemi prezentuar, në Programin tonë të punës, që veç e kemi publikuar në Internet!

Pse duhet të na besoni? Sepse përveç që mundemi, ne dijmë se si realizohen këto, kemi përkushtimin e madh dhe qëllimin e pastër, si dhe tërë rrugëtimin jetësor të pa njolla, që na bën të dalim ballëhapur para votuesve!
Populli i përvuajtur e i sinqertë i Drenasit dhe nevojat e tyre për mjedis të pandotur jetësor, nevojat ekonomike, arsimore, shëndetësore, sociale dhe kulturore do të jenë prioriteti ynë në Asamble! Çdo gjë që niveli lokal mund ta bëj për të siguruar të drejtat e punëtorëve, për arsim cilësor dhe modern, për shëndetësi dhe kujdes social të avansuar, politika të favorshme të banimit, për aktivitete të shtuara kulturore, artistike e sportive etj. do të jenë pjesë e politikave tona dhe angazhimit të përditshëm!
Liqenjtë, lumenjtë dhe përrockat, pyjet dhe bukuritë tona natyrore, trashëgimia kulturore dhe etnografia e Drenasit, duhet të ruhen dhe mbrohen nga degradimi.

Unë mendoj se qeverisja komunale duhet t’i jap llogari qytetarit, e jo e kundërta! Qytetari duhet të jetë në qendër të fokusit, e komuna shërbëtore e tij !

Qeverisja lokale duhet të ofroj shërbime të cilësisë së lartë, të cilat do ta bëjnë jetën më të lehtë dhe më të këndshme për secilin bashkëqytetarë tonin pa dallime, ta bëj biznesin më efikas dhe më të zhvilluar, arsimin të ndërlidhur me tregun e punës dhe aktivitetet e shumta kulturore si ushqim shpirtëror për banorët.

Sidoqoftë, parakushti i parë për realizimin e Programit tonë të hartuar me profesionalizëm, vëmendje e përkushtim është ndryshimi i mendësisë klienteliste, shantazhuese dhe nënshtruese nga secili prej nesh. Boll ma me armiqësi e urrejtje të verbër e të pabazë!
Zëri i heshtur dhe duart e lidhura me zinxhirët e frikës, cinizmit, demotivimit, dëshpërimit dhe lakmisë personale duhet të lirohen dhe energjia e njerëzve qëllimmirë duhet të lëvizë Drenasin drejt zhvillimit më të hovshëm!

Unë, si djalë i rritur në rrugicat dhe shkollat e Drenasit, si biri i babait veteran të arsimit ?dhe mësuesit autoritativ në Drenicë, nga i cili kam marrë mësime të vlefshme jetësore, qëmoti jam zotuar para emrit dhe veprës së tij madhore që do të udhëhiqem gjithmonë nga parimi i drejtësisë dhe barazisë, jo vetëm në detyrat publike që marr mbi vete, por edhe gjatë tërë jetës sime!

Zërave që qysh tani kokorisin se jam i këtij apo i atij krahu apo personi, vetëm ju them se nuk më demotivon dhe nuk më luhatë asgjë në qëllimin tim që të keqes kurrë të mos i them e bardhë dhe padrejtësisë t’i bëhem digë e fortë!
Drenasit duhet t’i kthehet dinjiteti dhe perspektiva!

Drenasi mundet shumë më mirë dhe meriton shumë më tepër!
======================================
P.S.: Shihemi dhe diskutojmë në Drenas, në Sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, SOT prej orës 17:30 !
“GREEN për Drenas” , ne kemi vlera dhe i mbrojmë ato !

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë