Gjykimi për vrasje në tentativë, dëshmitarët thonë se të akuzuarit i kishin parë me thika në duar, por nuk kishin parë se kush e kishte plagosur të dëmtuarin

Dëshmitarët A.L dhe E.M kanë thënë se të akuzuarit Mërgim dhe Kushtrim Syla i kishin parë me thika në duar, por kanë thënë se nuk e kishin parë se kush e kishte plagosur tani të dëmtuarin A.L.

Këtë deklaratë, dëshmitarët A.L dhe E.M e kanë dhënë të premten, në rastin ku të akuzuarit Syla po akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale vrasje në tentativë, ndërsa Kushtrim Syla po akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Hivzi Bajraktari, dëshmitarët kanë thënë se në ditën kritike, të akuzuarit Syla, së bashku me disa persona të tjerë kishin shkuar tek parkingu i “In Caffe”, të cilët thanë se i kishin parë me thika në duar, por se nuk e kishin parë se kush e kishte therur me thikë të dëmtuarin Leku, pasi kishin qenë shumë persona.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti e ndërpreu gjykimin dhe seancën e radhës e caktoi më 20 shtator 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 shkurt 2021, Kushtrim Syla dhe Mërgim Syla po akuzohen se me datë 11 dhjetor 2020, rreth orës 17:50, në rrugën “Ilaz Kodra”, në Gllogoc, në bashkëkryerje kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.L, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme mes tyre.

Siç thuhet në aktakuzë, në momentin që të akuzuarit Syla e kanë vërejtur të dëmtuarin A.L duke dalë nga makina të cilën e drejtonte dëshmitari A.L, me shpejtësi kanë shkuar pas tij dhe në atë moment i akuzuari Kushtrim e ka kapur me dorë në kraharorë dhe e ka kthyer me fytyrë nga të akuzuarit, dhe të njëjtit e sulmojnë fizikisht, ku i akuzuari Mërgim e ka goditur me grushta në kokë dhe pjesë tjera të trupit.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, i akuzuari Kushtrim me armë të ftohtë-thikë, e godet me pjesën shpuese në anën e majtë në gjoks dhe në kokë me pjesën e dorëzës së thikës dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Për këtë,  Kushtrim Syla dhe Mërgim Syla po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, Kushtrim Syla akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së, meqë nga data e pacaktuar ka mbajt në posedim thikën e paidentifikuar, me të cilën e ka kryer veprën penale./BetimipërDrejtësi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë