Skenderaj/ Përkrahje me grante për 27 biznese të vogla dhe start-up

Pas lirimit nga taksa në biznes, në kuadër të përkrahjes së bizneseve të vogla dhe ideve inovative, Komuna e Skenderajt, ka bërë nënshkrimin e kontratave për grante me 27 përfituesit e thirrjes publike.

Në këtë rast, kryetari i komunës, Bekim Jashari, u shpreh i lumtur që sot nënshkruan kontratat për grante me 27 përfitues, të cilët me mjetet e ndara nga komuna do të sigurojnë pajisjet e tyre të cilat përveç që do të lehtësojnë punën e biznesit do të sjellin edhe përfitime financiare.

Jashari tutje tha se me qëllim të rritjes së zhvillimit ekonomik të komunës, punësimit të të rinjve dhe përkrahjes së tyre në realizimin e ideve kreative biznesore dhe fuqizim të bizneseve të vogla, si qeverisje komunale gjatë mandatit të tij, po japin për çdo vit grante të ndryshme nga buxheti i komunës e po ashtu edhe nga bashkëfinancimi me donator si organizata gjermane HELP dhe organizata tjera.

“Vitin e kaluar si komunë kemi mbështetur gjithsej 41 përfitues, 25 bashkë me organizatën “HELP” dhe 16 nga buxheti i komunës sonë, këtë vit po mbështesim 27 përfitues kurse vitin që vjen mbështetja do të jetë edhe më e madhe”, tha Jashari.

Po ashtu në kuadër të drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, komuna ka trajnuar mbi 100 të rinjë të komunës sonë në fushën e dizajnit grafik dhe zhvillimit të webit, ku falë njohurive të fituara nga këto trajnime pjesa dërmuese e të rinjve janë punësuar.

Në fund para bizneseve Jashari u zotua që si komunë do të përkrahë bizneset dhe idetë kreative sepse në këtë mënyrë arrihet të zhvillohet ekonomia dhe të krijohen vende tê reja të punës.

Bashkë për zhvillim ekonomik!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë