Parashkruhet vepra penale në rastin e të akuzuarve nga Drenasi për mashtrim në votime, gjykata shpallë aktgjykim refuzues

Për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale të mashtrimit në votime, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj Xhavit Muqollit, Arbnore Bytyqit, Mehdi Berishës, Berat Durmishit, Halim Prokshit dhe Shqipe Deliut.

Për të njëjtën vepër akuzohet edhe Melihate Rruki, mirëpo ndaj saj ishte veçuar procedura penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica konstatoi se në këtë rast është arritur parashkrimi absolut i veprës penale, për çka gjykata duhet të shpallë aktgjykim refuzues ndaj të lartpërmendurve.

Prezent në sallë të gjykimit ishte edhe prokurorja Besa Limani.

Aktakuzën për këtë rast Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka ngritur më 8 korrik 2015.

Sipas aktakuzës, gjatë mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës më 12 dhjetor 2010, në qendrën e vendvotimit 0315E/01R, në gjimnazin “Skënderbeu” në fshatin Poklek të Komunës së Gllogocit, Xhavit Muqolli, Arbnore Bytyqi, Mehdi Berisha, Berat Durmishi, Melihate Rruku, Halim Prokshi dhe Shqipe Deliu në bashkëkryerje kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve apo votimeve në Kosovë.

Në aktin akuzues thuhet se me rastin e numërimit të votave të subjekteve politike, të pandehurit ua kanë hequr votat disa kandidatëve dhe ua kanë shtuar kandidatëve tjerë, duke i regjistruar në mënyre jo të saktë gjithsej 2,084 vota dhe atë nga kandidatët e AKR-së 8 vota, LDK-së 12 vota, AAK-së 10 vota dhe PDK-së 15 vota.

Me këtë, sipas aktakuzës, ata në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në votime” nga neni 180 lidhur me nenin 23 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë