Në Gjykatën e Drenasit shtyhet gjykimi për vjedhje të pyllit

Për shkak se ka munguar përfaqësuesi i palës së dëmtuar dhe dëshmitari A.K., është shtyrë seanca gjyqësore në rastin e të akuzuarit për vjedhje të pyllit, A.T.

Gjykatësi Shefqet Baleci ka njoftuar se të dy palët kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt për seancën e së hënës, mirëpo mungesën nuk e kanë arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, ai mori vendim që për dëshmitarin A.K., të lëshohet urdhëresë për sjellje me forcë, kurse përfaqësuesi i palës së dëmtuar të ftohet me ftesë të rregullt.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 6 shtator 2021, nga ora 10:00.

Të pranishëm në sallë të gjykimit ishin prokurori Menduhi Kastrati, i akuzuari A.T., si dhe dëshmitarët G.K e F.S.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 22 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë kundër A.T., me arsyetimin se ka kryer veprën penale “vjedhja e pyllit” nga neni 349, paragrafi 1 të Kodit Penal. Për këtë vepër kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.

Në aktakuzë thuhet se me 14 shkurt 2019, rreth orës 10:51, në vendin e quajtur “Kamenicë te Pishat” në Gllobar, në Regjionin Ekonomiko-Pyjor ne Kosmaq në pyllin në pronësi publike me të cilin menaxhon Komuna e Gllogocit, i pandehuri gjatë punimeve të ujësjellësit me punëtorët e tij, përkatësisht kompaninë “Diamanti SHPK”, pa autorizim ka hapur rrugë me bager. Aty thuhet se këtë e ka bërë duke dëmtuar-prerë drunjtë e llojit pishë me gjatësi 10-12m, diametër 25-18cm dhe vëllim të përgjithshëm prej 4.20m³.

Me këto veprime pretendohet se të dëmtuarës, Drejtoratit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural-Autoriteti Pyjor në Gllogoc i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 520,00 euro. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë